Kombëtare

Mposhtin Qipron me goleadë vajzat kuqezi

Kombëtarja shqiptare e femrave ka fituar ndaj atyre të Qiprosë me rezultat të thëllë 4-0 në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Evropian.

Kombëtarja e femrave zhvilloi sot (e premte) përballjen e radhës eliminatore të kampionatit Evropian, teksa u përball me Qipron në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës.

Pa trajnerin Grima dhe tre futbolliste, të cilët rezultuan pozitivë me coronavirus, vajzat kuqezi u drejtuan nga Dritan Babamusta dhe arritën të fitojnë me rezultatin e thellë 4-0.

Sfida u zhbllokua në minutën e 18-të nga ana e futbollistes së Mitrovicës, Suada Jashari, ndërsa goleada u kompletua në minutat e fundit, me golat e shënuar nga futbollistet e Vllaznisë, Megi Doçi e Luçie Gjini dhe sulmuesja e Karolinës së Veriut, Kristina Maksuti.

Kjo ishte fitorja e dytë në 7 ndeshje për vajzat kuqezi, që kanë grumbulluar vetëm 6 pikë, pasi 5 përballjet e tjera i kanë humbur. Sfida e ardhshme do të jenë ajo ndaj Portugalisë në Lisbonë, vetëm pas pak ditësh.