SPORT

Mourinho: Barcelona më e fortë se në të kaluarën, Rakitic njëri nga lojtarët më të nënvlerësuar në botë

Jose Mourinho ka folur fjalë të mëdha për Barcelonën dhe mesfushorin e tyre kroat, Ivan Rakitic.

Portugezi ka zbuluar admirimin e tij për Barcelonën e Ernesto Valverdes pas fitores 1-0 ndaj Real Madridit në Santiago Bernabeu.

Ish-trajneri i Real Madridit është një ekspert i mediumit beIN Sports dhe iu desh ta mbulonte ndeshjen e vlefshme për La Liga, ku edhe bëri disa komente.

“Ata janë shumë më të fortë se në sezonet e kaluara. Ata e dinë se si të mbrojnë dhe të jenë të bashkuar”, ka thënë fillimisht Mourinho.

“Edhe pse nuk luajnë futboll të mrekullueshëm, ata janë duke fituar ndeshjet dhe ky është çelësi për të sfiduar ekipet e mëdha në çerekfinale dhe gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve”.

Mourinho u impresionua me shfaqjet individuale të lojtarëve si Marc-Andre ter Stegen, Gerard Pique, Clement Lenglet dhe në veçanti të Ivan Rakitic.

“Ai është një nga lojtarët më të nënvlerësuar në botë”, shtoi Mourinho për Rakiticin.

“Ai është fantastik në të gjitha nivelet. Ai mbron, ai balancon [Lionel] Messin, ai vrapon dhe ai është i mirë me topin në këmbë”, përfundoi portugezi.