Kosova

Moti në Kosovë

Prishtina Weather ka njoftuar se java e parë e shkurtit pritet të jetë me mot më të butë dhe rritje të temperaturave. Fillimisht me reshje lokale të shiut, derisa nga e mërkura moti do të jetë kryesisht me diell.

Ditëve të para të muajit shkurt mbetemi nën dominim të fushave të presionit të ulët mbi Itali, e që mundësojnë mbi vendin tonë, mot kryesisht me vranësira e kohëpaskohe me reshje të dobëta shiu.  Ndërsa rrymimet e ngrohta ajrore nga jugu mbajnë kushte për një mot të butë.

Nga dita e mërkurë fusha të presionit të rritur favorizojnë kthjellime dhe intervale më të gjata me diell, e shtrirja e masave të ngrohta ajrore nga Mesdheu dhe Afrika veriore do të rrisin temperaturat ndjeshëm mbi vlera mesatare.  Mirëpo orëve të mëngjesit nëpër ultësira mund të paraqiten kushte për formim të mjegullës, e cila gjatë ditës do të shpërndahet.

Qetësimi i erërave në ditët e para të javës, si dhe paraqitja e inversioneve të temperaturës nga mesi i javë, mund të ndikoj që ndotësit ajror do të mbeten më të përqendruar pranë sipërfaqes dhe më gjatë. Nën këto kushte indeksi i cilësisë së ajrit do të kaloj në vlera të dobëta, vende-vende edhe shumë të dobëta.  Mirëpo kohëpaskohe me qarkullim të mjaftueshëm ajror, cilësia e ajrit mund të përmirësohet edhe në vlera mesatare dhe të mjaftueshme.

1.02 – Butë, kryesisht me vranësira.  Vende-vende me reshje të dobëta shiu kohëpaskohe.

2.02 – Butë, kryesisht me vranësira.  Kohëpaskohe me reshje të dobëta lokale shiu.  Orëve të mëngjesit përgjatë ultësirave mundësi për mjegull/mjegullinë.

3.02 – Në mëngjes nëpër ultësira mjegull, e gjatë ditës kryesisht kthjellët dhe me diell.

4.01 – Mot i butë, kryesisht kthjellët dhe me diell.  Në mëngjes përgjatë ultësirave mundësi për mjegull/mjegullinë.

5.02 – Pas mëngjesit me mjegull nëpër ultësira, ditën mot i butë dhe kryesisht me diell.

Temperaturat minimale do të jenë në vlera pozitive dhe luhaten nga 2C deri 4C, e maksimalet do të rriten ndjeshëm mbi vlera mesatare nga 10C, të hënën, deri në 15C ditën e premte.

Era do të fryj e lehtë dhe mesatare drejtimesh të ndryshme, por kryesisht nga krahu jugor me shpejtësi 1-6m/s. Shtypja atmosferike pas rënies që pësoj në fundjavë, do të rritet lartë mbi vlera normale.