EKONOMI

Mosformimi i Qeverisë shtyn seancën e Sekretariatit të Energjisë për projektin “Kosova e Re”

Përballja e Qeverisë së Kosovës me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë në një seancë dëgjimore mbi dyshimet për shkelje ligjore në marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” është shtyrë për muajin prill. Kjo seancë ishte paraparë që të mbahej më 17 janar, por me kërkesë të Qeverisë në largim ajo është shtyrë.

Kërkesa, sipas ministrit në largim të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, është bërë shkaku i mosformimit të Qeverisë së re, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Meqenëse Qeveria nuk është formuar akoma, kemi kërkuar që të shtyhet deri në muajin prill, gjë që është aprovuar nga ana e Sekretariatit. Për momentin, deri në prill nuk ka ndonjë lëvizje tjetër”, ka thënë Lluka për gazetën. Por, ai ka thënë se Qeveria ka mjaftueshëm argumente që të përballet me Sekretariatin e Komunitetit për Energji në lidhje me dyshimet e ngritura për joligjshmërinë rreth ndihmës shtetërore për realizimin e projektit të termocentralit “Kosova e Re”.

Ditë më parë Sekretariati ka njoftuar zyrtarisht se ka filluar hetimet lidhur me disa masa joligjore të parapara në marrëveshjet komerciale të nënshkruara në mes të Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë ndërtuese “Contour Global”. Në njoftim i kishte dhënë Qeverisë dy muaj afat për reagim ndaj pretendimeve të mosrespektimit të Ligjit të Komunitetit të Energjisë.