OPINION

Mos hesht

Shkruan: Anila ShALA
Ata thonë “Mbroje vajzën tënde!”, e si ta mbroj kur shkoi të argëtohej në vendin më të sigurt për të. Në vendin ku supozohet të edukohet e të arsimohet, në institucionin ku garantohet një trajtim i mirë e i drejtë për të gjithë. Në institucionin që konsiderohet i shenjtë dhe ku kalohen çastet më të bukura të jetës e ku prej tij përgatitesh për rrugëtimet e tjera që të presin. Por për të tash nuk është më kështu. Shkolla është shndërruar në vendin më të urryer për të, në makthin më të tmerrshëm që ajo mund të përjetoj, sepse aty ndodhi një ngjarje që nuk duhej të ndodhte. Ngjarje kjo që shkaktoi tek ajo traumën më të madhe me të cilën duhet të vazhdoj të jetoj.

Nuk e di edhe sa ngjarje të tilla duhet të ndodhin deri sa ne t’i thërrasim ndërgjegjes dhe të veprojmë. E gjithashtu më habit fakti se për çështje ndaj të cilave jemi të pafuqishëm dhe që ndodhin në vende të tjera të botës, jemi të parët që reagojmë dhe japim leksione se çfarë duhet vepruar. Ndërsa në rastet që ndodhin në vendin tonë, ngjarjet të cilat na rrethojnë dhe ndodhin shkaku i mosveprimit tonë, ne heshtim dhe bëhemi indiferent ndaj tyre. Duke mos vepruar deri sa ai problem shoqëror të na prek neve në mënyrë të drejtpërdrejtë, e duke harruar se të gjithë jemi pjesë e shoqërisë ashtu siç është ajo pjesë e jona.

E njëra prej këtyre çështjeve të cilën e injorojmë, e tejkalojmë dhe nuk e trajtojmë është siguria e vajzave dhe grave. Mungesa e kësaj sigurie që shkaktohet prej rasteve të shumta të ngacmimit seksual që ndodh në vendin tonë dhe frika që formohet tek ne duke u ndjerë të rrezikuara nga personat e gjinisë mashkullore, të cilët na rrethojnë. Qoftë në familje, shkollë, punë, institucione të tjera e gjithashtu edhe në rrugë. Por niveli i rrezikut po shtohet nga një element tjetër shumë i rëndësishëm. Heshtja.

Heshtja, e cila fillon prej familjes ku prindërit konsiderojnë temat rreth edukimit seksual si tema “tabu” e duke u arsyetuar me fjalinë e famshme “hajt se i mësoni kur të rriteni”, e kur po rritemi po i mësojmë në mënyrën e gabuar e kështu po ndodhin fenomene të shëmtuara. Por prapë familja hesht se nuk i ka ndodh vajzës së tyre, e harrojnë faktin se sa e mundur është që një ditë t’i ndodh edhe asaj. Kështu heshtja vazhdon edhe te shkollat dhe institucionet, që kanë lidhje me arsim, të cilat tejkalojnë mësimet rreth edukatës seksuale, e as nuk e fusin këtë të fundit në planprogramin mësimor pavarësisht nismave të organizatave dhe individëve të tjerë për futjen e kësaj lënde në shkolla. Përkundrazi këto institucione në momentet që ndodhin ngjarje të tilla bëjnë përpjekje për të larguar fajin dhe përgjegjësinë që kanë në këto çështje. Dhe mos të harrojmë organet e rendit dhe drejtësisë, të cilat çuditërisht gjatë këtyre çështjeve harrojnë parimet, të cilat duhet të ndjekin dhe kështu rasti mbet i pashqyrtuar ose nuk merret fare parasysh, sepse pyetja e parë, e cila i shtrohet një vajze është “Çfarë ke veshur atë ditë?” duke u munduar kështu të justifikojnë menjëherë veprimin e kryer.

E shkaku i kësaj heshtjeje ngufatëse, vajzat dhe gratë duhet të ndihen me fat që akoma nuk kanë qenë të abuzuara seksualisht në vend se të ishte normalitet që akte të tilla të mos ndodhnin. Mjaft më! Ka ardhur koha që heshtja nuk është zgjidhje. Andaj mos heshtni! Të gjithë së bashku t’i mbledhim forcat të fillojmë ndryshimin, sepse kemi shumë punë, e nuk kemi kohë me hesht, me u arsyetua e me kalua fajin prej njërit te tjetri. Ngriteni zërin! Se arma më e fortë e jona është fjala, e përmes saj të fillojmë sensibilizimin prej familjes, sepse prej aty po fillon problemi dhe kështu po vazhdon në mënyrë zinxhirore deri kur po ndodh më e keqja.

Andaj mos hesht! Se sot më shumë se kurrë kemi nevojë të dëgjojmë zërin tënd!