SPORT

Morkov fiton titullin e botës dy ditë pasi u izolua nga frika nga koronavirusi

Çiklisti danez Michael Morkov e ka fituar titullin e botës në çiklizëm, vetëm dy ditë pasi që kishte kaluar 34 orë në izolim për shkak të frikës se mund të jetë infektuar me koronavirus, raporton “BBC” të dielën, transmeton Koha.net.

Morkov 34-vjeçar, kishte marrë pjesë në garën katër ditore të çiklizmit në Emirate të Bashkuara Arabe. Ajo garë u anulua për shkak të dy rasteve të dyshuara me koronavirus.

Mirëpo, Morkov u lejua të merrte pjesë në Botërorin e çiklizmit në ambient të mbyllur, që u mbajt në Berlin.

“Dy ditë më parë, ishte në dyshim nëse mund të startoja. Është një ndjenjë e papërshkrueshme”, ka thënë Morkov.

Morkov dhe kolegu i tij Lasse Norman Hansen ngadhënjyen, duke lënë pas ekipet e Zelandës së Re dhe të Gjermanisë.

Morkov kishte kaluar të premten në hotel duke stërvitur me rrollera dhe duke folur me familjen nëpërmjet telefonit. Ai ishte në izolim. Por, më pas u lejua të garonte.

“Gjëja e vetme që mund të bëja ishte të përqendrohesha në garë dhe të shpresoja për më të mirën. Qëndrova shumë i qetë dhe u përgatita në dhomën e hotelit”, ka thënë Morkov.