Kosova

Mori më shumë vota se dy deputetë burra, por Tinka Kurti e VV-së mbetet jashtë Kuvendit

Zëvendësimi i deputetëve që u bënë ministra ka nxjerrë në pah mangësitë në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Neni 112 i këtij ligji po konsiderohet diskriminues për shkak se parasheh që pozita e deputetit duhet të plotësohet me kandidatin e gjinisë së njëjtë, ani se ai mund të ketë më pak vota, raporton KTV.

Bazuar në këtë nen, vend në Kuvend kanë fituar 2 kandidatë burra të Lëvizjes Vetëvendosje, ani se kanë marrë njëri rreth 100 e tjetri 600 vota më pak se kandidatja e kësaj partie, Tinka Kurti.

Ajo në profilin e saj në Facebook ka shkruar se zëvendësimi i kandidatëve bazuar në gjini është diskriminues.

“Të gjithë e dimë që ligji, përfshirë këtë nen, është shkruar për ta rritur prezencën e deputeteve në Parlament. Dhe çka ndodh tash? Pikërisht e ndëshkon. Saktësisht e pamundëson rritjen e 30 %. Përderisa ligji flet për minimumin e 30% të deputeteve në Parlament dhe jo ruajtjen e kësaj shifre, në fakt kjo po bëhet barrierë që në Kuvend të ketë më shumë se 30% gra”, ka shkruar Kurti.

Sipas Qendrës për Studime Gjinore, rasti i deputetëve të Vetëvendosjes hap rrugë që dispozita e Ligjit për zgjedhje të përgjithshme të kontestohet në gjykatë, sepse kështu është shkelur kuota gjinore.

Por, sipas Eugen Cakollit nga KDI-ja, ky nen i këtij ligji, kur ishte hartuar, u mendua që të ruante kuotën gjinore megjithatë, sipas tij, neni mbetet diskriminues, për shkak se nuk respektohet meritokracia.

Këtë të premte KQZ-ja certifikoi 11 kandidatë si deputetë pas emërimit në pozita ekzekutive të deputetëve paraprakë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.