Kosova

Molliqaj: Vetëvendosje po nënshtrohet vetëm që të arrijë në pushtet

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, e ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për takimin e nesërm me Lidhjen Demokratike të Kosovës ku pritet që pjesëmarrës të jenë edhe ambasadorët e QUINT-it.

Ai përmes një postimi në Facebook a ka quajtur vetënënshtrim të Vetëvendosjes.

Molliqaj thotë se pikërisht VV-ja, e cila kritikonte thellësisht ndërhyrjen e ndërkombëtarëve në krijimin e institucioneve të Kosovës pas zgjedhjeve demokratike apo përzgjedhjes së figurave shtetërore në mënyrë jo-demokratike, ajo po përfundon duke i ftuar ambasadorët e QUINT-it në takim së bashku me partnerin e koalicionit.

Sipas tij, Vetëvendosje po shkel edhe parimin tek i cili është formuar e krijuar vetëm e vetëm që të arrijë të jetë në pushtet.

“Duke hequr dorë nga parimet e qëndrimet, duke përdorur çdo metodë për të arritur në pushtet të cilën e ka kritikuar më herët, VV po shndërrohet në parti nga e cila shpresa e ndryshimi mund të pritet aq sa mund të pritet nga partitë që deri tani kanë qenë në pushtet”, ka shkruar ai.

Molliqaj thotë se Lëvizja Vetëvendosje u krijua dhe formësua në kritikën e saj ndaj ndërhyrjes së ndërkombëtarëve në proceset e shtetndërtimit, të marrëveshjeve me Serbinë dhe të misioneve ndërkombëtare të sigurisë si UNMIK e EULEX.

“Por, VV dita ditës po transformohet në një parti tipike e Kosovës e cila përdor shantazhin, gënjeshtrën për premtime elektorale, ndryshimin e parimeve për çështje mbi të cilat i ka kritikuar gjatë historikut të saj dhe heshtjen përballë dy marrëveshjeve me Serbinë ku Kosova as nuk po përfaqësohet nga institucionet e saja”, ka thënë ai.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483