Kosova

Molliqaj vazhdon me akuza ndaj Kurtit, e quan populisti antikushtetues

Kryetari i PSD’së, Dardan Molliqaj, ka vazhduar kritikën e tij ndaj kryeministrit Albin Kurti për mënyrën se si po e menaxhon gjendjen me virusin Covid-19.

Ai e ka quajtur Kurtin populisti antikushtetues pas vendimit për kufizimin e qarkullimit.

 ‘’Para rreth një jave, Albin Kurti shkarkoi ministrin Veliu, për t’iu hedhur hi syve qytetarëve kinse Qeveria Kurti nuk u shkarkua nga Amerika për shkak të prishjeve të marrdhënieve me ta, por nga LDK-ja’’, shkruan Molliqaj në Facebook.

‘’Tha se Veliun e shkarkoi sepse ky i fundit ishte për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të situatës me COVID-19. Sipas Kurtit, situata ishte nën kontroll dhe nuk kishte nevojë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme. Sonte, anipse nuk ka ndryshime drastike që e kanë ndryshuar gjendjen prej asaj dite, Kurti ka marrë vendim ANTIKUSHTETUES për ta ndaluar lëvizjen e qytetarëve. Neni 56 i Kushtetutës së Kosovës e parasheh shumë qartë se të drejtat që garantohen me kushtetutë mund të shmangen VETËM pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.’’, shton ai.

Tutje ai thotë se gjendja është e jashtëzakonshme dhe duhet të shpallet e tillë, dhe po thotë se Kurti po e vjedhë modelin e qeverisjes së Viktor Orban në Hungari.

‘’As kësaj here Kurti nuk i ndërmorri këto masa për shkak se beson që gjendja është njëmend e jashtëzakonshme. Përkundrazi, për të mos e humbur pushtetin, ai po tenton të krijojë gjendje të jashtëzakonshme. Kurti po tenton ta vjedhë modelin e Orban-it në Hungari, pra të qeverisë me vendin, por pa Kuvendin. Sikur Kurti të mos e kishte hallin tek pushteti i tij personal, dhe të besonte që njëmend duhet të ndalohet lëvizja e qytetarëve, atëherë ai do të duhej që të kërkonte shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme. Por këtë nuk e bëri, sepse për të më e rëndësishme është lufta e tij me Thacin dhe pushteti i tij personal, sesa shëndeti i qytetarëve. Prandaj ky vendim antikushtetues, nuk duhet respektuar nga qytetarët e vendit’’, thotë ai.

‘’Shfrytëzimi i kësaj situate ku fokusi i secilit do të duhej të ishte tek luftimi i virusit, për të marrë vendime antikushtetuese vetëm e vetëm për ta ruajtur pushtetin, është shumë i pamoralshëm dhe nuk do të kaloj lehtë e pa u vërejtur.’’

‘’P.s. Mendoj që përshkallëzimi i masave pa kurrfarë analize apo plani, do t’i sjellë vendit dëme të paparashikueshme, si në shëndetësi, ashtu edhe në ekonomi’’

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483