Kosova

Molliqaj thotë se anëtarët e VV-së po viktimizohen, Aliu e akuzon këtë të fundit për shpifje

Viktimizime po i konsideron Dardan Molliqaj pretendimet e ish-kolegëve të partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, për sulmin ndaj Haki Abazit.

Në Rubikon, Molliqaj mohoi të ketë pasur ndonjë sulm fizik ndaj Abazit, nga ai ose shoqëruesi i tij në dalje nga studioja televizive.

Xhirimet nga kamerat e sigurisë, sipas tij, do ta tregojnë të vërtetën, derisa ka numëruar disa raste ku sipas tij, zyrtarë të Lëvizjes kanë sulmuar persona të ndryshëm, dy prej të cilave nga Liburn Aliu e deri te kryetari Albin Kurti.

I kontaktuar me telefon, Liburn Aliu ka akuzuar për shpifje Molliqjan dhe ka mohuar ndonjë sulm tjetër, ndërsa për sulmin ndaj asamblistit të PDK-së, tha të ketë shprehur keqardhjen dhe i kishte ofruar dorëheqjen kryetarit Shpend Ahmeti, raporton KTV.

Megjithatë, akti i tij, sipas Aliut, nuk ishte pranuar nga kryetari i kryeqytetit.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Besnik Bislimi, i pyetur në Interaktiv, e ka anashkaluar rastin e Tiranës, duke i konsideruar si pjesë të fushatës kundër partisë së tyre.

Bislimi ka kërkuar nga prokuroria që të konfirmojë se xhirimet e rastit që ndodhi në mesjavë janë të sigurta dhe që në të njëjtat, t’i lejohet qasje Haki Abazit.