Kosova

Molliqaj sulmon Konjufcën e Memli Krasniqin: I kanë ndërruar rolet

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, deklaroi sot se mostrajtimi i asaj që ka ndodhur në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës është papërgjegjësi politike e institucionale.

Përgjegjës për gjendjen e krijuar në Kuvendin e Kosovës, ai bëri Partinë Demokratike të Kosovës së bashku me kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Ai ka paraqitur dy kërkesa në emër të PSD-së, atë për përgjegjësi individuale ose partiake për veprimin e Flora Brovinës me fotografinë, ndërsa ka ftuar deputetët e LDK-së dhe Vetëvendosjes të kthehen në Kuvend dhe të bashkëpunojnë si opozitë për rrëzimin e qeverisë.

Sipas tij, insistimi i kryetarit të Kuvendit për të vazhduar seancën sikurse nuk ka ndodhur asgjë, e dëmton pikërisht nismën për të cilën po diskuton Kuvendi sot.

E arsyeja se pse Kuvendi i Kosovës gjendet në këtë situatë, ku LDK dhe Vetëvendosje bojkotojnë seancat, sipas Molliqajt është edhe për shkak të PDK-së.

“Qysh po e duan sot këta pushtetin, ashtu e keni mbajtur ju pushtetin me çdo kusht. Memli, kur të duash merri videot, dhe fjalimi i Glauk Konjufcës sot, është fjalimi yt deri dje, dhe fjalimi yt sot, është fjalimi i Konjufcës deri dje, veç i keni ndërruar. A po e kupton se jeni e njëjta medalje me dy anë. Dhe, nëse e ki përnjëmend, rrugën e ke tërësisht gabim. Dhe, s’po ta mohoj qëllimin, as motivin, por rrugën e ke, si ti, si kryetari i Kuvendit krejtësisht gabim”, tha ai.

Ndërsa deputeti Memli Krasniqi tha se nuk kanë ngatërruar rolet me deputetin Konjufca. Teksa shtoi se PDK ka reaguar edhe për veprimin e deputetes Flora Brovina, për çka u shpreh se më së shumti politikisht është dëmtuar pikërisht subjekti të të cilit i përket.

Molliqaj përshëndeti nismën e kryetarit të LDK-së Isa Mustafa për të ftuar në takim partitë opozitare për rrëzimin e qeverisë. Porse, shtoi se me veprime sikur ky i sotmi, për bojkotimin e seancës plenare, nuk do të japë rezultat pasi që LDK dhe VV po vazhdojnë të veprojnë pa një koordinim opozitar.