EKONOMI

Molliqaj: Marrëveshja për “Kosovën e Re” është më e dëmshmja që ka bërë ndonjëherë shteti

Kritikat e adresuara në kohën kur ishin bashkë në opozitë i bashkojnë edhe sot PSD-në, që atë kohë ishin në Vetëvendosje me qeverinë Haradinaj, respektivisht AAK-në dhe kryetarin e saj.

Mirëpo ndonëse binin dakord, tash Dardan Molliqaj vlerëson se ato po bëhen gabim.

“Krejt ajo çka është kritikuar nga opozita e kaluar po zbatohet, e këtu bimë dakord ne me qeverinë, me një dinamikë të shpejtë, por për mendimin tonë, është gabim se si po bëhet”, ka thënë Molliqaj.

Kontratën me Countour Global për “Kosovën e Re”, Molliqaj e liston si një ndër gabimet e qeverisë, për të cilën nënvizon se ndonëse nuk është nisur nga Haradinaj, ajo u jetësua në kohën e tij.

“Tash kemi një qeveri e cila po këput dhe po këput gabim. Marrëveshja me ‘Countour Globalin’ është marrëveshja me e dëmshme ekonomike dhe strategjike që e kanë bërë qeveritë e Kosovës ndonjëherë këtu. Ne hyjmë në obligime si shtet për të siguruar blerjen e krejt prodhimit që do të bëjë termocentrali ri, ndërsa në bazë të kapaciteteve ekzistuese dhe shpenzimet që ndodhin gjatë verës i bie që do të kemi rreth 30 apo 40% prodhim të energjisë më shumë se që ka nevojë tregu vendor. Paramendo se çka ka hy në obligim shteti, me ia ble kompanisë private, ndërsa kompania publike detyrohet të gjendet në treg. Ne nuk po liberalizojmë treg, por po i sigurojmë privatit që ia blejmë”, ka thënë ai.

Në vlerë prej 1 miliard eurosh, kjo marrëveshje u konsiderua projekti më i madh në historinë e Kosovës, e cila u nënshkrua më 21 dhjetor të vitit 2017. Sipas kësaj marrëveshjeje, ndërtimi i termocentrali do të ketë një bllok prej 500 megavatëve dhe do të kushtojë 1.3 miliardë euro. ContourGlobal do të sigurojë kapitalin, 30 për qind të vlerës se projektit dhe kreditë e institucioneve ndërkombëtare financiare.

Termocentrali “Kosova e Re” parashikohet të vihet në punë në vitin 2023, ndërsa sipas marrëveshjes Qeveria e Kosovës do ta marrë në pronësi impiantin pas një periudhe 20 vjeçare dhe pa asnjë kosto, derisa jetëgjatësia e termocentralit “Kosova e Re” është llogaritur 40 vjet.