Kosova

Molliqaj e Krasniqi deklarohen për protestën e VV-së, lëvizjen e quajnë sekt

Deputetët e PSD-së, Dardan Molliqaj dhe Frashër Krasniqi, kanë ironizuar me protestën e sotme të thirrur nga ish-partia e tyre, Lëvizja Vetëvendosje.

Të dy e kanë quajtur Vetënvedosjen sekt, e liderin e saj “profet paranik”.

“Shpesh takoj njerëz që i janë mërzitur ndarjes së VV-së. Meqenëse besimtarët e sektit nuk guxojnë as të më flasin sepse i qorton profeti, të tjerët që guxojnë të mendojnë, e kanë kuptuar gjendjen ku është katandisur kjo parti. Nga një lëvizje shpresëdhënëse, është shndërruar në sekt që për interesa të profetit paranoik, duke u mbrojtur nga ”armiku i jashtëm”, e shkatërroi vetën nga brenda”, ka thënë Molliqaj, përcjell Koha.net. “Nga një lëvizje shpresëdhënëse, është shndërruar në sekt që për interesa të profetit paranoik, është e gatshme ta djegë edhe protestën si aktin më demokratik të një populli”, ka shtuar ndër të tjera ai.

“Sekt, fundosja e shpejtë e të cilit nuk po ndalet. Dëshmia më e mirë është protesta e sotme, të cilën profeti do ta quante ‘karneval i dështuar’”, ka thënë në fund Molliqaj.

“AmeLika, kaLnevali, lepuri. Qytetarët mund të mashtrohen njëherë, por ata nuk harrojnë. Kur protestat që i organizon vet i quan karnevale, dhe i fyen pjesëmarrësit në protesta në një mënyrë aq të ulët, atëherë lëre më që të dështojnë protestat, por nuk arrin dot të organizosh as karneval. I tillë ishte tubimi i sotëm i militantëve të Sektit të cilëve nuk iu bashkua as edhe një qytetar partiak”, ka shkruar deputeti tjetër, Frashër Krasniqi.