Kosova

Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja përmbyllen me sukses vitin e dytë të tranzicionit

Në Kazermën ,,Adem Jashari“ sot u organizua ceremonia e përmbylljes së vitit të dytë të tranzicionit të FSK-së. Në këtë ceremoni morën pjesë ministri i Mbrojtjes, z. Anton Quni, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, drejtori i NALT-it, gjenerali Frank Best, gjeneralë dhe oficerë të lartë të FSK-së, zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, përfaqësues të NALT-it, atashe dhe këshilltarë ushtarak ndërkombëtar.                                     

Në fjalën e tij, ministri Quni, pasi përshëndeti të pranishmit dhe uroi për sukseset e arritura gjatë realizimit të planit dyvjeçar të tranzicionit të FSK-së, tha: „ Sot shënojmë 2 vjetorin e lansimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, andaj ndjehem krenar dhe i privilegjuar, që si Ministër i Mbrojtjes të konstatoj se përgjatë kësaj periudhe kemi arritur që të realizojmë pjesën më të madhe të aktiviteteve për këtë periudhë planifikuese, e në disa fusha e komponentë, edhe t’i tejkalojmë ato“.                                               Më tej, ministri Quni, shtoi se: „Krahas këtyre sukseseve, brenda kësaj periudhe është avancuar sistemi i duhur i hartimit dhe zbatimit të politikave të mbrojtjes në fushën e planifikimit, programimit, modernizimit e standardizimit të forcave, bashkëpunimit ndërkombëtar e integrimeve euroatlantike, inteligjencës dhe sigurisë, sistemit të integruar të burimeve materiale, infrastrukturore e mbështetjes logjistike“.                                             

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, në fjalën e tij tha: „Kjo ditë shënon kalimin nga një fazë administrative, doktrinare dhe konceptuale në një fazë të ndërtimit të aftësive teknike, taktike dhe luftarake në nivel të njësive operacionale. Konsideroj, që, pa marrë parasysh sfidat me të cilat jemi përballë, si: tërmeti në Shqipëri, pandemia globale, përmbytjet dhe shkurtimet e vazhdueshme buxhetore, ne kemi arritur që jo vetëm të përmbushim detyrat e parapara në këtë fazë, por edhe t’ i tejkalojmë pritshmëritë tona“.                         

Ndërsa, drejtori i NALT-it, gjenerali Best, përgëzoi Ministrinë dhe FSK-në. “Ju përgëzoj për atë që është arritur deri më tani. Veçanërisht ju përgëzoj për qasjen tuaj transparente, angazhimin tuaj për mbikëqyrjen civile, qasjen tuaj multi-etnike dhe theksin mbi drejtësinë dhe sundimin e ligjit. Ishte një nder dhe gëzim për të gjithë ne, në NALT, t’iu ndihmojmë dhe t’iu këshillojmë mbi hapat e ndërmarrë me të gjitha mjetet dhe aftësitë që kemi në dispozicion. NALT-i do të vazhdojë të jetë në krahun tuaj. Ne do të qëndrojmë të përkushtuar ndaj mandatit tonë; për këshilla, lidhje dhe trajnime”.

Ceremonia u përmbyll me nënshkrimin e dokumenteve Doktrinore nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, që janë bazë e zhvillimit dhe ngritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. /Kosova.info/