EKONOMI

Murati priti ambasadorin Kosnett, flasin për sigurimin e vaksinave

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka pritur sot në takim njohës ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Philip Kosnett, më të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin ndër institucional, për gjendjen emergjente shëndetësore me pandeminë Covid-19, si dhe për pozicionin fiskal të shtetit të Kosovës.

Në kuadër të këtyre diskutimeve Ministri Murati dhe Ambasadori Kosnett gjithashtu theksuan gatishmërinë e Kosovës për sigurimin sa më të shpejtë të vaksinave kundër COVID-19, për masat e reja që janë ndërmarrë për luftimin e pandemisë, si dhe për masat e kompensimit financiar për t’ju ndihmuar sektorëve ekonomikë, të cilat janë prekur nga vendimi i fundit i Qeverisë.

Gjatë takimit u diskutua për pozitën financiare të shtetit të Kosovës, për të hyrat dhe shpenzimet buxhetore të deritanishme. Gjithashtu u diskutua edhe rreth procesit të rekrutimit të pozitave të larta drejtuese nëpër institucionet vartëse të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve. /Kosova.info/