EKONOMI

Mjeshtëria artistike e komunikimit me publikun (27)

Dështimi që vështirë korrigjohet

Komunikuesit, në të shumtën e rasteve, përcjellin një porosi që konsiderohet e re, pra që thuhet për herë të parë. Nëse hera e parë dështon, gati kurrë nuk krijohet mundësia e korrigjimit!   

Shkruan: Behar Zogiani

Dështimi që vështirë korrigjohet

Të gjitha të drejtat e rezervuara©Kokrra.tv

Komunikimi me publikun, në botë, është çmuar edhe që në fillet e shoqërisë njerëzore. Por, konsiderohet se, si profesion, nuk është zhvilluar për më shumë se nja 100 vjet të kaluara. Ndërsa, në Kosovë ende konsiderohet si një pjesë e gazetarisë, në mos edhe gazetari në tërësi. Derisa, pas Luftës së Dytë Botërore, shteti kishte në duar të gjitha mediet dhe, si pushtet njëpartiak, i përdorte ato si pjesë e propagandës së vet. Komunikimi me publikun, përmes medieve dhe mjeteve e rrugëve të tjera të komunikimit, bëheshin duke i thënë popullit: “Dëgjo, mbyll gojën dhe zbato, nëna Parti për ty mendon!”

Pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, institucionet ndërkombëtare lejuan dhe ndihmuan hapjen e medieve pa vënë kushtëzime, të cilat paraqesin një spektër të ndryshëm, më të begatë, nga një apo dyllojshmëria e tyre e para luftës. Me përvojën e tyre, shumë ndërkombëtarë ndikuan që përfaqësuesve politikë dhe atyre jopolitikë në Kosovë, t’u tregojnë vendësve nevojën e të mësuarit të zejes së komunikimit me publikun. Por, edhe më tej, si në sferën e politikës, të ekonomisë, kulturës, sportit…, personalitetet e ndryshme të Kosovës nuk kanë arritur të kuptojnë se mediet nuk janë veglat e tyre “të punës”, dhe se komunikimi me publikun është lëmi që kërkon punë, dije profesionale dhe përkushtim! Madje, ende konsiston ky mendim, edhe pse shumëkush është “djegur” nga “ledhatimet” e medieve “të veta” dhe “gërrithjet” e atyre  “kundërshtare” dhe nga paraqitjet tjera para publikut! Kosova duhet ballafaquar me përvojat më të mira ndërkombëtare dhe të pranojë se komunikimi me publikun është një lëmi, që detyrimisht duhet bërë përmes shkollimit dhe përmes ekspertëve. Nëse kjo nuk përfillet, edhe më tej do të këtë institucione që punojnë vetëm për vete, të cilat “nuk i kupton publiku” dhe “mënyra më e mirë e suksesit të tyre është ndërrimi  i popullit”!

Materialet e dala për interes të komunikimit me publikun duhet të jenë të sakta, mundësisht të shkurtra, shumë të qarta dhe në formën e mënyrën e të shprehurit që e kupton publiku, që është cak i komunikimit.

Të gjitha informacionet e para, që shpërndahen nga institucionet shtetërore të Kosovës, në të gjitha nivelet pa përjashtim, dërgohen në gjuhën shqipe, pavarësisht se shumë syresh i kushtohen publikut ndërkombëtar. Madje, në përvojën e katër viteve të para të pavarësisë së Kosovës (2008-2012), me një përjashtim të Ministrisë së Punëve të Jashtme 2008-2009, nuk ka ngjarë që informatat (të cilat edhe publikohen në faqet e tyre të internetit) të dedikuara për publikun ndërkombëtar, të jenë përkthyera në të njëjtën ditë në faqet e tyre të internetit. Në një situatë, kur Kosova është e varur nga ndërkombëtarët, humb mundësinë që porosia e tyre të kuptohet drejt, apo që të reagohet ndaj saj sipas interesit të dërguesit. Këto informacione të dërguara në gjuhën shqipe, në mungesë të përkthyesve nëpër përfaqësitë e institucioneve ndërkombëtare, injorohen tërësisht dhe informacioni merret nga mediet (shpesh të transmetuara pjesërisht, apo edhe të keq-interpretuara), apo ngelin nëpër duart e përkthyesve të padijshëm!

Gjatë ushtrimit të profesionit të komunikimit me publikun stresi është i pandashëm, ngase përgjegjësia është shumë e lartë për të ofruar deklarime të sakta, të duhura dhe me kohë. Pastaj, këtë stres e shton edhe përgjegjësia për respektimin e mjedisit dhe përgjegjësia për rezultatin përfundimtar të porosive që përcillen. Komunikuesit, në të shumtën e rasteve, përcjellin një porosi që konsiderohet e re, pra që thuhet për herë të parë. Nëse hera e parë dështon, gati kurrë nuk krijohet mundësia e korrigjimit!

Paralajmërimi me kohë i ngjarjeve, pos që krijon mundësi bashkëpunimi me mediet, që janë domosdoshmëri, lë përshtypjen e seriozitetit të duhur të subjektit të interesuar. Me këtë krijohet baza pothuajse e sigurt për krijimin e temës pozitive nga mediet e pranishme, të cilat mund të raportojnë për ngjarjen e caktuar.

Shembulli i kryetarit të parë të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, është rast i mrekullueshëm për studim për të gjithë të interesuarit për komunikim me publikun. Dr. Rugova njihet si njeriu i “gjetjes së optimizmit edhe atëherë kur situata ishte ‘ferr fare’”! Njerëzit me shkollë të duhur, në çdo kohë mund të gjejnë rrugëdalje për krijimin e temës pozitive, apo në të mirën e vet. Madje, nuk ka situatë pa rrugëdalje, por duhet pasur dije dhe përkushtim për ta arritur atë.

Zyra e komunikimit me publikun në të shumtën e herave është “truri strategjik” i një institucioni, që ka për interes përcjelljen e porosive pozitive tek publiku. Nuk ka prodhimtari, apo veprimtari, të pëlqehet nga publiku nëse ky i fundit nuk di për to. Zyra për komunikim hap rrugën e njohjes, përkatësisht të prezantimit me publikun, që është cak i atyre që duan ta përfitojnë atë. Ky institucion i specializuar hulumton dhe detajon të gjitha rrethanat dhe të gjitha hapësirat, ku duhet depërtuar. Depërtimi në shtëpitë, në punëtoritë, në pushimoret, në zemrat e publikut mund të bëhet nga resorë me ekspertë të secilës lëmi, e cila është objekt pune, përkatësisht veprimtarie të subjektit, që e bën komunikimin me publikun.

Nuk ka komunikim të suksesshëm pa bashkëpunim të duhur me medie. Që bashkëpunimi të jetë i suksesshëm, mediet duhet respektuar dhe për to duhet krijuar kushte profesionale pune (në hapësirat e organizatës) që nga fillimi, kur ato shprehin interesimin për të realizuar çfarëdo, e teme deri në përfundimin e saj.

Faqja e internetit është mundësia e jashtëzakonshme, ku secili subjekt juridik apo individ, krijon mundësinë e prezantimit të hollësishëm të veprimtarisë dhe ideve të veta. Përvojat e Kosovës deri tash kanë dëshmuar një përhapje të shpejtë të hapjes së faqeve të internetit. Por, ato faqe interneti më shumë janë kuptuar si nevojë e përmbushjes së një detyrimi ndaj një donatori, një këshilltari apo financuesi apo partneri ndërkombëtar, se sa nevojë komunikimi me grupet-cak. Kjo mundësi teknologjike krijon edhe detyrimin e një dizajnimi artistik e informativ të faqes së internetit. Përmbajtja e temave të trajtuara duhet të jetë e ndërtuar sipas interesit të publikut. Faqja e internetit duhet hartuar me tekste të kuptueshme dhe të renditura që të gjenden lehtësisht. Këtë version të komunikimit me publikun në botë e kanë marrë shumë seriozisht, duke i dhënë hapësirën e duhur jo vetëm ideve dhe interesave të drejtpërdrejta dhe këndvështrimit të pronarit të faqes, por në te jepet mundësia edhe e vërejtjeve dhe sugjerimeve të partnerëve, të vizituesve të interesuar të faqes së internetit. Varësisht nga grupi i cakut që ka pronari i faqes së internetit, tekstet e plasuara botohen në gjuhët e grupit të cakut. Në kohën e globalizmit, publikimi i informacioneve vetëm në një gjuhë është pothuajse humbje kohe dhe humbje parash. Përdorimi i shumë gjuhëve, e së paku i katër-pesë gjuhëve më të përhapura të botës, është mundësi e madhe e përfitimit edhe globalisht, duke u dhënë mundësi njerëzve nga shumë pjesë të botës të nxiten për të kontaktuar apo bashkëpunuar me pronarët e faqes së internetit.

Kosova, në shfrytëzimin e medieve elektronike, së paku teknikisht, është krah për krah me botën e përparuar. Mediet sociale, në veçanti Facebook, nga rreth 150 medie të këtilla të mëdha në botë, ka filluar të shfrytëzohet edhe në Kosovë. Mediet sociale janë një mundësi e jashtëzakonshme për komunikim me publikun, por bashkë me mundësitë paraqiten edhe përgjegjësitë e autorit të publikimeve në këto medie. Ky lloj komunikimi kërkon saktësinë e përkryer të plasimit të informacionit. Një pakujdesi e rastit, si për shembull publikimi i një informacioni nga jeta private apo nga fshehtësia zyrtare, autorin dhe të dëmtuarin i sjell para përgjegjësisë.

Fjalimi publik deri tash në Kosovë është përdorur pa respektuar kriteret teknike, kohore dhe ato përmbajtjesore. Fjalimet janë të gjata, të njëtrajtshme, stereotipe, anemike, patetike, të gjata, jashtë kohe dhe kryesisht pa informacion. Ato janë më të gjata se pesë minuta dhe të tilla që nuk dihet kujt i kushtohen, nuk dihet se ku do të fliten, nuk e kanë temën e përgatitur enkas për rastin e caktuar. Ato nuk kanë informacion, nuk zgjojnë emocion dhe nuk krijojnë bindje për seriozitetin e zbatimit të ideve që bartin përmbajtjet e tyre.

Secila intervistë është sfidë e re, me të gjitha veçantitë që i përcjell ajo. Shumica e të intervistuarëve, në Kosovë, sillen njëtrajtshëm pavarësisht nga tema, pavarësisht nga koha, pavarësisht nga vendi dhe pavarësisht nga tema e trajtuar, pavarësisht nga media nga e cila intervistohen, pavarësisht nga orientimi i medies e pavarësisht nga gazetari-intervistuesi. Intervista kërkon përpikëri në secilin veprim, si në shprehjen e mendimit, veshjen, qëndrimin dhe gjestet. Secila intervistë është “një botë në vete”, që kërkon përgatitje të veçantë, origjinalitet në sjellje, në përmbajtje, në inspirim, në efektshmëri, në ndjeshmëri dhe, në të shumtën, edhe në veshje e posaçërisht në gjeste.

Gjatë komunikimit të drejtpërdrejtë me publikun, në takime apo përmes televizionit e internetit, shfrytëzimi i mirë i gjesteve përforcon të thënat, përkatësisht i “vulosë” ato. Por, secili fjalim, që mund të jet me përmbajtje të shkëlqyeshme, nuk do të pranohet nga publiku, nëse folësi përcjelljen e fjalëve nuk e shoqëron me gjestet e duhura. Shumë komunikues me publikun janë fare të patalentuar dhe e keqja e tyre është se ata as nuk duan as të mësojnë.

S’ka rast të rëndë që ka ngjarë në Kosovë e të mos ketë qenë “kurth” për zyrtarët. Rastet e njëpasnjëshme të krizave politike, krizat në veriun e Kosovës, incidentet ndëretnike, arrestimet e quajtura “politike” të përfaqësuesve të pushtetit të Serbisë në Kosovë, e shumë të tjera të ngjashme, e kanë “koritur” qeverinë, përkatësisht qeveritë e partitë politike të Kosovës, duke i zënë ato “në zgripc” me paraqitjet e tyre kundërshtuese me njëra-tjetrën nga pjesëtarët e kabinetit qeveritar e, madje, edhe me deklarimet e veta. Por, njohësit e rrjedhave i kanë paraparë të gjitha “ndodhitë habitëse”. Sikur të kishte njohës, apo aty ku janë, të respektohen ata, nuk do të mund të kishte ngjarje të befasishme. Kur këto “befasi” ngjajnë, mediet enden poshtë e lart, dhe shumë herë “spekulojnë”, pasi që nuk mund t’i gjejnë asgjë kundi zyrtarët përgjegjës dhe, kur i gjejnë ata, “rastësisht” nuk kanë vend ku t’i intervistojnë!

Respekti ndjell respektin, thotë një fjalë popullore. Pasi që nuk ka komunikim dobiprurës pa i pasur mediet përkrah, bashkëpunimi me to është domosdoshmëri. Që mediet të “kenë mëshirë” dhe të mendojnë drejt apo pozitivisht për informacionin që plasohet, burimi i informacionit duhet të jetë i kujdesshëm në komunikimin me mediet. Mediet kërkojnë respektin e duhur, duke u ofruar të gjitha materialet e kërkuara dhe duke i krijuar kushtet teknike për punën e tyre gjatë raportimit të tyre nga hapësira e partisë, organizatës apo ndonjë subjekti tjetër, ose nga hapësirat e ndonjë individi të interesuar për komunikim me publikun.

Nuk ka rast, në të cilin nuk mund të krijohet përshtypja e mirë për të interesuarin për të komunikuar me publikun. Idetë “zbuluese” të ngjarjeve të ndryshme, ofrojnë mundësi depërtimi tek mendjet e grupeve apo të individëve, që janë cak i subjektit të caktuar. Në botën bashkëkohëse, secili njeri mund të jetë një raportues potencial (në mediet sociale), apo gazetar i medies së caktuar. Për këtë, të interesuarit për përcjelljen e porosive të caktuara, përgatiten mirë me të dhëna nga fushë veprimtaria e tyre për secilën medie që eventualisht apo qëllimisht mund të haset, përfshi edhe gjendjen e tyre emocionale, që shumë herë është pengesë e pakapërcyeshme.

Nuk ka komunikim të drejtë, të efektshëm, të këndshëm – fundja komunikimi i mirë është veprim artistik dhe dobiprurës – pa përgatitje të duhur. Përgatitja e mirë profesionale përfundon me sukses, vetëm nëse kalon nëpër “filtrat” e pamëshirshëm të stërvitjeve të pandërprera!

* Ky fejton është hartuar nga pjesë të zgjedhura të librit “Domosdoshmëria e Komunikimit me Publikun” (2013). Autori është ekspert i lartë për medie dhe komunikime me publikun. Të drejtat e autorësisë ©Behar Zogiani

(Fund)