EKONOMI

Mjeshtëria artistike e komunikimit me publikun (26)

Trema – përcaktuese gjatë komunikimit

“Qind për qind e të intervistuarve kanë thënë se më shumë frikësohen nga kamerat televizive, sesa nga gjarpri”, thuhet në një hulumtim të “Youths Speak”.

Shkruan: Behar Zogiani

Të gjitha të drejtat e rezervuara©Kokrra.tv

Gjatë gjithë kohës së komunikimit me medie, apo me publikun drejtpërsëdrejti, shohim shumë personalitete duke u dridhur para kamerave, apo mikrofonave, të medieve, apo në foltore të ndryshme. Në Kosovë, kjo iu ngjet pothuajse të gjithëve. Por, si shprehet kjo, apo si vërehet kjo më lehtë?

“Ndjenjat tona shfaqen në mimikën e fytyrës, të menduarit, vëmendja, po ashtu shfaqen edhe në gjestet dhe lëvizjet tona”. Po e zëmë, njëri djersitet dhe zverdhet, nuk artikulon mendimet e tij. Tjetri, nervozën e tij e shpreh duke lëvizur majtas-djathtas, apo duke i shtrënguar duart, ose duke i lidhur gishtërinjtë e duarve, me mërrolat e fytyrës së tij. I treti, nuk mund ta kontrollojë dorën e tij të majtë, kafshon buzën, etj. I katërti lëviz duart, në mënyrë mekanike, pa i kontrolluar ato…

…“Qind për qind e të intervistuarve kanë thënë se më shumë frikësohen nga kamerat televizive, sesa nga gjarpri”, thuhet në një hulumtim të “Youths Speak”.

Nëse kjo ngjet në SHBA, ku teknologjia e medieve është duke përjetuar një rritë të papërshkrueshme, sjelljet e qytetarëve të Kosovës, mbase edhe të politikanëve më të lartë, janë shumë normale. Por, si të jetë ndryshe, kur përgjegjësia për atë që thuhet është shumë e madhe!

Synimi i secilit njeri, që komunikon me media, apo me publikun, në forma të ndryshme, është se dëshiron ta përcjellë një porosi të caktuar.

Të gjitha këto telashe kërkojnë zgjidhje, për një situatë të këtillë. Por, si mund të shprehet kjo, kur thënësi i porosisë nuk e ka qetësinë shpirtërore?

Para se të shihet se si mund të evitohet një gjendje e këtillë, duhet të dihet se çfarë ngjet me organizmin tonë, në rastet e këtilla:

Trema është një reaksion emocionues tek të gjitha streset, qoftë për të mirë, apo për të keq. Në literaturë,* mund të gjenden këto elemente, që e shpjegojnë tremën:

  • Lëvizjet e pakontrolluara të trupit;
  • Përkulja;
  • Lëvizja e trupit majtas-djathtas dhe anasjelltas;
  • duart e djersitura;
  • Kryqëzimi i duarve;
  • Lidhja e shuplakave;
  • Buzët e thara;
  • Dridhja e buzëve;
  • Rritja e bebëzave të syve;
  • Lëvizja e pakontrolluar e syve;
  • Mërrolat e fytyrës;
  • Të rrahura të shpeshta të zemrës;
  • Përqendrim i ulët;
  • Dhembje të muskujve të shpinës dhe të qafës;
  • Molisje dhe dridhje;
  • Lëvizja e karriges;
  • Urinim dhe barkqitje të shpeshtë…

Përcjellja e porosisë para publikut, në gjendje të këtillë emocionale, pothuajse është e pamundur. Madje, edhe nëse ajo arrihet të shprehet, efekti do të jetë kurrfarë, apo shumë i zbehtë. Pra, i gjithë mundi shkon huq. Madje-madje, mënyra e këtillë e prezantimit mund të sjellë kundër efekte.

 

                                    Si të mundet trema?

Përballimi i emocioneve mund të arrihet, nëse paraprakisht dihen disa çështje, apo bëhen disa ushtrime:

  • Njohja e qindpërqindtë e lëmisë, me të cilën merret porosi-dhënësi;
  • Përcaktimi për temën, që e njeh mirë porosi-dhënësi;
  • Hulumtimi dhe përgatitja e mirë e temës së caktuar;
  • Hulumtimi dhe respektimi i mirë i mjedisit, të cilit duhet ofruar porosinë;
  • Hulumtimi dhe njohja e specifikave të lëmisë, me të cilën do të merret folësi;
  • Ushtrimet me teknikën, të cilën duhet përdorur gjatë përcjelljes së porosisë;
  • Njohja e specifikave (specializimit) të mediumit;
  • Hulumtimi i aftësive të gazetarit, nëse porosia do të përcillet përmes medieve;
  • Njohja përkatëse e teknikës së komunikimit: intervistë e shkurtër, e gjatë, për lajme, deklaratë, apo tubim me qëllime prezantimi të veprave të ndryshme të biznesit, të artit…
  • Të dihet kohëzgjatja e pyetjeve dhe e përgjigjeve;
  • Të zbërthehen mënyrat e intervistimit, të cilat i bën intervistuesi;
  • Hulumtimi dhe gjetja e informacioneve të duhura për bashkëbiseduesit, nëse bëhen biseda me disa të intervistuar: partnerë biznesi, rivalë politikë…
  • Vendi, ku do të bëhet bashkëbisedimi-intervistimi;
  • Para fillimit të intervistës, duhet shikuar me shumë kujdes gjendjen teknike të karriges-ulëses, ku do të qëndroni gjatë kohës së përcjelljes së porosisë;
  • Nëse do të ketë tavolinë, duhet ditur çfarë formati ka: e lartë, e ulët, e qelqit, me lule…
  • Varësisht nga tema që do të debatohet, duhet gjetur edhe veshjen e përshtatshme, e cila nuk do t’iu shqetësojë;
  • Stërvitja e domosdoshme dhe përmbajtjesore para daljes në publik;
  • Stërvitja para kamerave: profesionale, të atyre të zyrës për informim, apo edhe atyre familjare;
  • Kur nuk ka njeri të profesionit të caktuar, ia vlen edhe ushtrimi para familjarëve;
  • Stërvitja para kolegëve, në zyrë, mund të ndihmojë në përballimin e emocioneve;
  • Kur nuk ka mundësi të tjera, dhe i ai që do të komunikojë me publikun është i vetmuar, atëherë preferohet edhe thënia e porosisë para pasqyrës;
  • Po ashtu, njëra nga variantet e mundshme është edhe stërvitja me vetveten…;
  • Vetëbesimi se mund t’i dilet mbanë në komunikimin e porosisë për publikun, me të cilin pritet ballafaqimi;

Njohja e këtyre çështjeve, do të mundësojë që folësi të parashtrojë dhe prezantojë idetë, hulumtimet, shtjellimet, përfundimet, apo porositë e tij.

Paraqitja para mikrofonit dhe kamerës është puna më shqetësuese në gjithë botën e komunikimit. Kjo vërehet më së shumti, kur xhiruesi, apo gazetari, nuk e dinë mirë detyrën e tyre. Kur oratori ballafaqohet me teknikën e radios, apo të televizionit, shqetësimi bëhet edhe më i madh, kur këto pajisje teknike shfrytëzohen nga gazetari dhe kameramani me përgatitje jo-përkatëse profesionale. I intervistuari mund ta tejkalojë këtë situatë më lehtë, nëse e pranon realitetin e këtillë, se duhet punuar me persona që ende mësojnë punën e vet. Pas tejkalimit të këtij segmenti të punës, i intervistuari asnjëherë nuk duhet të mendojë për praninë e kamerës, apo të mikrofonit. Ai nuk duhet “ta shohë” fare teknikën përreth tij. Folësi duhet të paramendojë një situatë të qetë e të këndshme, sikur të gjendej në mjedisin e njerëzve më të çmuar dhe më të dashur të tij.

 

Ushtrimet fizike për mundjen e tremës

Nëse të gjithë hapat e më parmë nuk ndihmojnë në tejkalimin e emocioneve, atëherë duhet provuar mënyrën tjetër të mundjes së tremës, përmes ushtrimeve fizike. Disa ekspertë të komunikimit me publikun dhe ekspertë të punës në televizion, thonë se ushtrimi më i preferuar është ai i frymëmarrjes. Kjo kërkon frymëmarrje të thellë, që për rreth katër sekonda të mbahet fryma dhe pastaj të lëshohet gradualisht. Ky ushtrim duhet të përsëritet së paku tri herë.

Mundësi tjetër është ulja në karrige, mbyllen sytë dhe goja e merret frymë dhe lirohet ajo vetëm përmes hundës, së paku 20 herë.

Po që se nuk ka kushte për ta bërë këtë ushtrim, atëherë mund të provohet mënyra tjetër e ushtrimit fizik. Vihen duart prapa shpinës, lidhen gishtërinjtë, apo shuplakat, dhe shtrëngohen sa të munden, përkatësisht deri në ndjenjën e dhembjes së muskujve të duarve, apo muskujve që ndërlidhen me këtë veprim. Kjo duhet përsëritur disa herë, së paku 3-4, apo edhe 5 herë. Në rast se folësi do të gjendet në situatë që nuk do të mund të vërë duart prapa shpinës, sepse nga vendi ku është i ulur në karrige, ky do të dukej “veprim i pasjellshëm”, atëherë lidhen shuplakat, duke i vënë duart përpara-në prehër, dhe t’i shtrëngojë ato deri në lodhje.

Një ecje 5-6 minutëshe, para ballafaqimit me publikun, konsiderohet se mund të ndihmojë. Për këtë ka mendime dhe përvoja të ndryshme: shumë folës kanë thënë se u ka ndihmuar ecja e shpejtë, disa syresh thonë se atyre u ka ndihmuar ecja e ngadalshme.

Duket banale, por edhe e çuditshme një teori tjetër, e cila e ka marrë emrin e autorit të saj, Teoria e Ron Hoff-it, apo “Teoria e Lakuriqësisë”. Sipas kësaj teorie, folësi duhet “ta  imagjinojë audiencën si të zhveshur. Madje, edhe nëse nuk ta zbut tremën, atëherë ju krijon një atmosferë më të lehtë”.

Një përvojë tjetër, që mbase nuk gjendet në literaturë, por që dëgjohet prej shumë personave që merren me komunikimin me publikun, është larja e syve. Në rastet ku folësi nuk është i sigurt se e di përgjigjen adekuate (natyrisht nëse do të ketë mundësi fizike), ai duhet të dalë nga vendi i bashkëbisedimit, me arsyetimin e “nevojës për të shkuar në banjë”. Atje duhet qëndruar aq gjatë, derisa të gjendet përgjigja e duhur.  

* Ky fejton është hartuar nga pjesë të zgjedhura të librit “Domosdoshmëria e Komunikimit me Publikun” (2013). Autori është ekspert i lartë për medie dhe komunikime me publikun. Të drejtat e autorësisë ©Behar Zogiani

 Nesër: Dështimi që vështirë korrigjohet