SHËNDETËSIA

Mjekët kirurgë në Kosovë vazhdojnë grevën

Mjekët kirurgë në Kosovë po vazhdojnë grevën edhe pas miratimit të Ligjit për Pagat nga Kuvendi i Kosovës.

Me ligjin e ri është rritur edhe koeficienti për mjekët – nga 3.5 sa ka qenë, në 5.

Megjithatë, mjekët kirurgë kërkojnë të rangohen me koeficient më të lartë.

Arbër Morina, kirurg, tha për Radion Evropa e Lirë se greva do të vazhdojë edhe më tej, me kërkesën për rregullimin e koeficientit.

“Greva vazhdon njësoj, pa kurrfarë ndryshimi, me të njëjtën kërkesë dhe me të njëjtin intensitet. Ne po kërkojmë rregullimin e koeficientit dhe rishikimin e ligjit, për faktin se me ligjin e fundit të miratuar në Kuvend, kemi konstatuar shkelje të rënda në procedura dhe në përmbajtje, të cilat bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ne mendojmë se ky ligj duhet të rishikohet dhe të riformulohet”, tha Morina.

Mjekët kirurgë e kanë nisur grevën më 17 dhjetor të vitit të kaluar dhe pavarësisht thirrjeve për ndërprerje të saj nga ana e Federatës Sindikale e Shëndetësisë, greva vazhdon.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483