Kombëtare

Mitrovicë: Nga e hëna rifillon procesi mësimor për klasët e 9-ta dhe rihapet çerdhja publike

Drejtoria Komunale e Arsimit në Mitrovicë bën të ditur se institucionet edukative-arsimore kanë bërë përgatitjet përfundimtare për rifillimin e procesit mësimore në objektet shkollore.për nxënësit e klasave të 9-ta dhe për çerdhen publike.

Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Egzon Jashari, njofton se shkollat janë të gatshme për pritjen e nxënësve të klasëve të 9-ta, në rikthimin e tyre dy javorë me qëllim të realizimit të përgatitjeve përfundimtare për mbajtjen e testit të arritshmërisë, i cili pritet të mbahet me datë 23 qershor.

“Shkollat kanë bërë përgatitjet përfundimtare sipas udhëzimeve të pranuara nga MAShTI dhe IKShP, nxënësve të klasëve të 9-ta ju urojmë rikthimin e mbarë të tyre në bankat shkollore dhe shumë suksese në testin e arritshmërisë” deklaroi Jashari.

Gjithashtu, gjatë ditës së sotme është bërë edhe dezinfektimi, dezinsektimi dhe deratizimi (DDD) i institucionit parafillor, çerdhes publike “Gëzimi Ynë”, me ç’ rast nga kjo e hënë do filloj rihapja graduale në përputhje me udhëzimet dhe protokollet zyrtare.

“Duke e vlerësuar ndjeshmërinë karshi moshës së tyre, sigurisht që e kemi pasur me prioritet përgatitjet për çerdhen publike. Gjatë kësaj jave së bashku me drejtoreshën dhe edukatoret kemi analizuar dhe hartuar planin mbi organizimin dhe funksionimin e procesit edukativ për dy grupmoshat 0-3 dhe 3-6. Në përputhje me rekomandimet e pranuara përveç stafit ekzistues të edukatoreve do jenë të angazhuar edhe stafi mjekësor ndihmës nga QKMF”, tha Jashari.