SPORT

Mitrovica sot kërkon kualifikimin historik në “Champions”

Të premten tërhiqet shorti për 1\16 e finales në Ligën e Kampionëve për futbolliste. Te kampionia kosovare, Mitrovica, kanë shumë besim se do të jenë pjesë e këtij shorti, që tërhiqet në Nyon.

Besim se do të jenë në short ka edhe te Breznica e Malit të Zi. Por në short ka vend vetëm për njërën prej këtyre dy skuadrave, ndërsa një përballje mes tyre do të vendosë për cilën, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në të vërtetë, KFF Mitrovica është vetëm një pikë larg suksesit historik për futbollin e femrave në vend. Në ndeshjen Mitrovica – Breznica Plevlja, skuadrës kosovare i mjafton barazimi për të fituar grupin dhe kështu të zërë vend në mesin e 32 skuadrave më të mira të kontinentit. Breznica për kalim në fazën nokaut duhet të mposhtë Mitrovicën.

Ndeshja luhet të martën (sot) nga ora 17:30 në stadiumin e qytetit në Nikshiq. Breznica pritet të ketë përkrahje nga tribunat, por te Mitrovica besojnë shumë në cilësinë që kanë, e edhe më tepër në lojën me zemër të futbollisteve.

Mitrovica prinë në grupin e dytë të raundit kualifikues. Ka gjashtë pikë, përkatësisht dy fitore, Breznica është e dyta me katër pikë. Kampionia bullgare, NSA Sofia, dhe ajo rumune Olimpia Cluj janë të eliminuara tashmë nga gara për vend të parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.