Kosova

MIT: Jemi gati për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit të Kosovës ka thënë se është gati për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonit dimërorë.

Ministri në detyrë i këtij dikasteri, Pal Lekaj, tha se për një punë të suksesshme, edhe këtë vit janë koordinuar menaxherët dhe të gjitha departamentet relevante në MIT, prej të cilëve është informuar sot për përgatitjet e fundit.

“Nga ata kërkova angazhim maksimal për rrugë të kalueshme gjatë gjithë dimrit”, tha Lekaj.

Ndërkohë, Policia e Kosovës iu ka rikujtuar të gjithë drejtuesve se duhet të fillojnë të përgatiten për sezonin dimëror.

Sezoni dimëror nis më 15 nëntor dhe zgjat deri më 15 mars. Gjatë kësaj periudhe, drejtuesit duhet t’i kenë me vete pajisjet dimërore.

“Apelojmë për të gjithë shoferët që të fillojnë përgatitjen e mjetit dhe të jenë të kujdesshëm gjatë këtij sezoni dimëror”, u tha në apelin e Policisë së Kosovës.