Rajoni

Misioni i të mbijetuarit të Srebrenicës për të gjetur trupat e viktimave

Duke ecur nëpër pyllin mbi shtëpinë e tij afër Kravicës, Nukiq ka gjetur mbetje dhe gjëra personale që kanë ndihmuar identifikimin e rreth 300 prej 1,000-1,500 viktimave, që mendohet se kanë vdekur atje në korrik të vitit 1995.

Ata janë vetëm disa prej më shumë se 8,000 burrave dhe djemve myslimanë, që janë vrarë nga trupat serbe të Bosnjës në gjenocidin e Srebrenicës.

Nukiq duke kërkuar mbetje njerëzore në pyll afër shtëpisë së tij.
Nukiq duke kërkuar mbetje njerëzore në pyll afër shtëpisë së tij.

“Është bërë kërkimi im”, thotë për agjencinë e lajmeve Reuters 59-vjeçari, baba i pesë fëmijëve. Nukiq thotë se kërkimet i ka nisur para 15 vjetësh, me shpresën se do t’i gjejë mbetjet e babait të tij, xhaxhait dhe dy vëllezërve që janë zhdukur pas masakrës.

“Kur gjej një kockë, për mua është sikur gjej tërë trupin. E di se një nënë do të gjejë paqe”, thotë Nukiq, duke treguar një kafkë njeriu dhe një kockë që ka gjetur në pyll disa javë më parë.

Një lugë dhe një shishe ilaçi që Nukiq ka gjetur në pyll e që ndoshta u përkisnin viktimave të masakrës.
Një lugë dhe një shishe ilaçi që Nukiq ka gjetur në pyll e që ndoshta u përkisnin viktimave të masakrës.

Ai i kalon zbulimet e tij te hetuesit e Institutit për Persona të Zhdukur, të cilat më pas duhet të përputhen me mbetjet njerëzore – me anë të mostrave të ADN-së – të ofruara nga të afërmit e të zhdukurve, për t’i identifikuar ato.

Këtë muaj bëhen 25 vjet prejse ka ndodhur masakra, gjatë luftës së viteve 1990 në Bosnje. Forcat serbe, të komanduara nga gjenerali Ratko Mlladiq, e kanë sulmuar enklavën lindore të Srebrenicës, ku rreth 40,000 myslimanë kishin gjetur strehë në një “zonë të sigurt”, nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara.

Paqeruajtësit holandezë të OKB-së, të ulur në automjetin e tyre të blinduar, përpara një turme të refugjatëve myslimanë nga Srebrenica, më 13 korrik, 1995.
Paqeruajtësit holandezë të OKB-së, të ulur në automjetin e tyre të blinduar, përpara një turme të refugjatëve myslimanë nga Srebrenica, më 13 korrik, 1995.

Pasi Srebrenica ka rënë në duart e serbëve më 11 korrik të vitit 1995, shumica e grave dhe fëmijëve janë ndarë nga burrat dhe janë transportuar me autobusë në një territor të kontrolluar nga ushtria boshnjake. Burrat dhe djemtë e mbetur janë vrarë, ndërsa shumica e atyre që kanë bërë përpjekje të iknin nëpër pyje, janë kapur, janë mbajtur në burg dhe janë ekzekutuar.

Gjykata e Kombeve të Bashkuara për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi ka konstatuar se vrasjet kanë përbërë gjenocid dhe ka dënuar Mlladiqin dhe mentorin e tij politik, Radovan Karaxhiq, për gjenocid dhe krime të tjera të luftës në Srebrenicë.

Pasi serbët e kanë sulmuar Srebrenicën, Nukiq e ka dërguar familjen e tij në kampin e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara, në Potoçari, ndërsa ai u është bashkuar mbi 15,000 burrave në një marshim shpëtimi nëpër pyll.

Ramiz Nukiq lutet pranë varreve të babait dhe dy vëllezërve të tij në Memorialin Potoçari të Srebrenicës.
Ramiz Nukiq lutet pranë varreve të babait dhe dy vëllezërve të tij në Memorialin Potoçari të Srebrenicës.

Nukiq ka mbijetuar dhe ka qenë i vetmi që është kthyer në fshatin e tij në vitin 2002. Ai ka gjetur skeletin e parë derisa po pastronte shtëpinë e tij të rrënuar.

“Rreth 130 burra që janë vrarë këtu, janë ende të pagjetur”, ka thënë ai, duke folur për agjencinë Reuters nga vendi i vrasjeve. “Unë nuk do të heq dorë nga kërkimi derisa të gjendet i fundit prej tyre”. /reuters-rel/

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483