Kosova

Miratohet vendimi për koncept-dokumentin për dërgimin e FSK-së jashtë vendit

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, u miratua propozimi i ministrit të Mbrojtjes, Anton Quni për koncept-dokumentin për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.

Me dy vota kundër dhe një abstenim, Qeveria e Kosovës vendosi që t’i hap rrugë një baze ligjore për përcaktimin e përgjegjësive, kompetencave dhe procedurave të tjera në rastet e dërgimit të FSK-së jashtë vendit tonë.

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni gjatë mbledhjes së Qeverisë, ku paraqiti këtë propozim theksoi se FSK-ja është e gatshme që të bashkëpunoj dhe të marrë pjesë në operacione ushtarake ndërkombëtare.

“Politika e hartuar hap rrugë për krijimin e bazës ligjore në përcaktimin e përgjegjësive dhe kompetencave të institucioneve në rast të dërgimit të FSK-së jashtë vendit si dhe proceduat e dërgimit në operacione ndërkombëtare dhe aktivitete tjera ushtarake, mënyrën e tërheqjes, zëvendësimin dhe mënyrën e financimit”, njoftoi Quni gjatë fjalës së tij.

Para se të merrej ky vendim, zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi tha se dokumenti në fjalë ka kosto shtesë që nuk janë të parapara me kornizë e projeksione buxhetore.

“Në skenarin e parë bëhet fjalë për 4.3 milionë e në skenarin e dytë mbi 3 milionë. Prandaj rekomandojmë që gjatë hartimit të projektligjit të gjitha aktivitetet të bëhen brenda ndarjeve buxhetore”, tha Krasniqi. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.