Miratohet plani për zbatimin e MSA-së, opozita i kërkon sqarime Bislimit për emërimet politike

Komisioni për Integrim Evropian të premten ka miratuar me shtatë vota Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit (PKZMSA) 2021-2025.

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, tha se kjo marrëveshje përbëhet nga tri kritere –  politike, ekonomike dhe standardet evropiane – dhe kostoja e saj është 47.7 milionë euro.

“Dokumenti është i përbërë prej 250 faqesh, pra përmban një volumitet të përmbajtjes. Për zbatimin e këtij plani kombëtar nuk kemi probleme buxhetore dhe kostoja e saj është 47.7 milionë euro. Plani kombëtar përmban 61 projektligje me standarde evropiane”.

Deputeti Driton Hyseni tha se do të duhej që të ketë plane konkrete sa i përket granteve dhe të ketë kuadro profesionale edhe sa i përket zhvillimit lokal të komunave për fondet që iu jep BE-ja.

“Do të doja që të kemi hapa dhe plane konkrete sa i përket granteve dhe dua të kem informacion nga ju sa i përket zhvillimit lokal të komunave. A ka kuadro profesionale në këto komuna për të bërë projekte zhvillimet nga fondet e BE-së”.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se një dokument i tillë do të duhej t’i nënshtrohej një diskutimi publik dhe të jetë në përputhje me rregulloren.

“Katër takime jemi prapa dhe na duhen impute se sa është avancuar ky projekt. Një dokument i tillë do të duhej t’i nënshtrohej një diskutimi publik dhe në përputhje me rregulloren”.

“Puna e kësaj qeverie është e pamjaftueshme dhe për këtë arsye është e nevojshme që Kuvendi dhe Qeveria të bashkëpunojnë në këtë drejtim”.

Bislimi iu përgjigj deputetes Deliu-Kodra lidhur me çështjet e adresuara i cili theksoi se performanca tatimore është shumëfish më e mirë se e çdo vendi të rajonit.

Sa i përket emërimeve politike dhe zbatimit të këtij plani, ai tha se nuk ka pasur aktivitet i cili është keqpërdorur më shumë sesa emërimet politike.

Por, deputetja e PDK-së tha se qeveria po i fsheh emrat e atyre që janë emëruar.

“Për korrektësi nuk do t’i hy me emra, por nuk mundet me qenë profesionist ajo listë që e dimë të gjithë dhe kjo është tendencë e juaja që me i fsheh këta persona”, iu kundërpërgjigj Deliu-Kodra zëvendëskryeministrit.

Diskutimi i tyre ka vazhduar prapë lidhur me këtë çështje.

“Nëse fjalët e kryeministrit janë që familjarët janë për dasma dhe ahengje atëherë qëndroni fjalëve tuaja, leni për dasma dhe ahengje dhe jo me i lanë nëpër borde”, tha Deliu-Kodra.

Deputetja e AAK-së Time Kadriaj pyeti zëvendëskryeministrin se kur pritet të sillen 61 projektligje në Kuvend që janë pjesë e planit.

“Mos u arsyetoni për emërimet sepse e keni pasur patjetër edhe ju mi emëruar këta anëtarë sepse prej tyre keni fituar votat”, tha tutje ajo.

Zëvendëskryeministri Bislimi tha se tashmë 14 projektligje janë përfunduar dhe pritet edhe miratimi i të tjerave.

“Sa i përket vaksinave ne kemi mjaftueshëm sa për të dhënë edhe vaksinën e tretë. Deri në mars jam optimist që mund ta kalojmë gjysmën e këtij plani”. /EO/

Go to TOP