KULTURË

Minxhozi: Ikonat nuk vdesin kurrë, ato vetëm lartësohen

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka thënë se Pagarusha u rrit pa nënë por dashuria për Kosovën e Shqipërinë e bënë atë nënën e gjithë shqiptarëve.

Ai thotë se bilbili Pagarusha u bë simbol i bashkimit mes shqiptarëve.

“Unë e quaj vetën të privilegjuar që jo vetëm dëgjova Pagarushën por e takova shpesh herë. Ajo nuk jeton te ne, por ne jetojmë tek ajo. Faleminderit zonjë që ishe. Ikonat nuk vdesin kurrë, ato vetëm lartësohen”, ka thënë ai.

Ndërkaq në emër të komunitetit artistik, Rafet Rudi, ka thënë se Nexhmija ka përfaqësuar bukurinë e muzikës popullore.

Sipas tij, bukuria e zërit të saj ka përcaktuar koordinatat e muzikës popullore.

Mbesa e Nexhmije Pagarushës, Mirjeta, ka thënë se ajo ka qenë një grua e fortë dhe e interesuar për gjithçka.

Ajo thotë se për të ishte gjithnjë familja në rend të parë.

“Për ne mbesat dhe nipat ka treguar shumë durim. Na kushtonte kohë e na tregonte sfidat e jetës së saj. Gjithmonë ka qenë e gëzuar dhe e buzëqeshur. Na ka mësuar të jemi të pavarura, të luftojmë për pozitën tonë si femër”, ka thënë ajo.

Sipas saj, dy vitet e fundit për të nuk kanë qenë të lehta, për shkak të shëndetit.

 11:16

Kurti: Muzika dhe arti e humben ikonën e tyre, kombi humbi anëtaren më të dashur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në akademinë përkujtimore të Nexhmije Pagarushës, ka thënë se muzika dhe arti kanë humbur ikonën e tyre, kurse kombi ka humbur anëtaren më të dashur e më të çmuar.

Ai thotë se ata që e kishin fatin ta njihnin për së afërmi e kishin kënaqësinë ta njihnin thjeshtësinë e saj.

Kurti thotë se Nexhmija ishte një vajzë nga fshatë, larg kryeqytetit ku vepronin njerëzit e kulturës e artit.

“Ajo u bë gruaja e fshatit që theu paragjykimet”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.

Kurti thotë se në amanetin e saj, Nexhmija kërkoi të varrosej në fshatin Pagarushë, afër babait të saj Veselit, për të treguar dashurinë për të.

Ai tha se Nexhmije Pagarusha ishte bilbil i gëzuar por edhe i trishtë, bilbil poshtë një shteti që ishte në diktaturë por mbi supet e një populli si ky.

Ai tha se Nexhmija e la skenën por asnjëherë nuk e la këngën.

Osmani: Nexhmije Pagarusha u bë simbol i dashurisë ndaj popullit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani thotë se e gjithë Kosova dhe të gjithë ata që e vlerësuan artin e kulturën dhe ikonën e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha, sot janë në dhimbje të madhe.

Ajo pas homazheve që bëri në nderim të jetës e veprës së Pagarushës, mëngjesin e sotëm, tha se trashëgimia që ka lënë ajo pas do të rrojë për brezat e ardhshëm.

“Jam e bindur që trashëgimia që la pas, zonja Nexhmije Pagarusha, bilbili i Kosovës do të rrojë edhe për brezat e ardhshëm. Është një njeri që ka bërë shumë jo vetëm për artin e kulturën, por për të gjithë popullin tonë. Pra, është shndërruar në një simbol të dashurisë ndaj popullit, dhe nëpërmjet zërit na ka dhënë shumë”, tha Osmani.

Osmani tha se shpreson se institucionet në nderim të veprës së saj do të bëj në të pamundurën që tash e tutje të përkrahin artin e kulturën dhe njerëzit që i dhanë kaq shumë Kosovës me veprën e tyre.

“Gjithnjë ekziston mundësia për të bërë më shumë dhe në veçanti për personalitete të rralla. Është e vërtetë që ajo që la Nexhmije Pagarusha pas nuk është vetëm muzika, nuk janë vetëm këngët, por është shembulli i saj i jashtëzakonshëm i dashurisë së një populli të tërë. Shembulli i saj i emancipimit të një shoqërie të tërë, në vite kur në veçanti gratë nuk e kishin zërin e tyre të dëgjuar aq sa duhet”, ka shtuar Osmani.

Ndër të tjera ajo tha se ajo do të jetë shembull për të gjitha gratë dhe vajzat e reja në Kosovë, që të guxojnë të ëndërrojnë e ato të bëhen realitet.

Ndërkohë, bashkëpunëtorë, miq e figura të shquara po vazhdojnë të bëjnë homazhe e të ngushëllojnë familjarët e ikonës së këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha.

Ata që kanë punuar me të po e quajnë ambasadore të këngës shqipe. Këngëtarja Shyhrete Behluli me lot në sy tha se ajo e vepra që la pas do të jetojnë gjithmonë.

“Kjo do të jetojë gjithmonë në zemrat tona dhe të popullit shqiptar, sepse ka qenë e të gjithëve”, tha Behluli.

Behluli tha se ndoshta i kanë mbetur “hak”, për shkak se nuk është bërë mjaftueshëm për të.

“Si fëmijë jam rritur me këngët e saj, vazhdoj karrierën me këngët e saj. Me këngët për të ndoshta do të mundohem që edhe në të ardhmen me dhënë për të. Sepse ndoshta nuk kemi dhënë sa duhet, si kolegë si artistë. Nexhmija ka qenë ambasadore e të gjithë ambasadorëve të këngës shqipe”, tha ajo.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.