Kosova

Ministrja Nagavci reagon pas dyshimeve për sulm seksual ndaj një nxënëseje të klasës së parë

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka reaguar nëpërmjet Facebookut lidhur me dyshimet se një vajzë e klasës së parë u sulmua seksualisht në një shkollë të Prishtinës. Nagavci thotë se rasti do të trajtohet me prioritet.

“Në lidhje me shkrime dhe statuse të shumta që janë publikuar sot rreth një rasti që dyshohet të ketë ndodhur në afërsi të një shkolle në kryeqytet, edhe pse nuk kemi ende informata zyrtare, ju siguroj se do ta trajtojmë me prioritet dhe kujdes të veçantë. Besoj se njejtë do të veprojnë të gjitha institucionet kompetente”, shkroi Nagavci në Facebook.

Në një video të publikuar shihen disa fëmijë që i ofrohen një vajze të vogël në një shkollë në Prishtinë.

Shkrimi i plotë i Nagavcit në Facebook:

Në lidhje me shkrime dhe statuse të shumta që janë publikuar sot rreth një rasti që dyshohet të ketë ndodhur në afërsi të një shkolle në kryeqytet, edhe pse nuk kemi ende informata zyrtare, ju siguroj se do ta trajtojmë me prioritet dhe kujdes të veçantë. Besoj se njejtë do të veprojnë të gjitha institucionet kompetente.

Është shumë me rëndësi që në vazhdimësi të ketë bashkëpunim të plotë në mes të shkollave, prindërve, shërbimeve profesionale e instucione tjera përgjegjëse. Të gjithë së bashku duhet të punojmë shumë për edukim dhe në mënyrë që t’i eleminojmë dukuritë  negative nga shkollat dhe shoqëria jonë.

Meqë bëhet fjalë për fëmijë të mitur, i ftoj të gjithë që të përmbahen nga çdo deklaratë dhe publikim që përmban të dhëna dhe detaje të cilat mund të dërgojnë në identifikimin e tyre.