Kosova

Ministrja Hoxhiq megjithatë i paguan mëditjet për punëtorinë në Strugë

Në kohën e festave të fundvitit, ministrja në detyrë e Pushtetit Lokal, Adrijana Hoxhiq, i ka shpërblyer me mëditje punëtorët e ministrisë që udhëheq.

Batalionit të punonjësve nga stafi politik dhe shërbyesve civilë, iu ndanë mëditje në vlerë të 5 mijë e 382 eurove, për tri ditë të punëtorisë të organizuar në Strugë të Maqedonisë së Veriut, raporton KTV.

Pas raportimit të KTV-së, javë më parë, Hoxhiqi fillimisht kishte marrë vendim që t’i anulojë këto mëditje, por tashmë ajo ka ndërruar mendje.

Siç merr vesh televizioni, mëditjet u janë paguar mesditën e së martës punëtorëve pjesëmarrës.

KTV-ja për këtë ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Pushtetit Lokal, por ajo nuk ka kthyer përgjigje.

Një gjë të tillë, përmes telefonit, shkurt e ka konfirmuar edhe ministrja Hoxhiq, por ka qenë e ashpër në komunikim, duke thënë se nuk i jep llogari KTV-së, por qytetarëve.

Në Strugë kishin shkuar 86 persona, punonjës të kësaj ministrie për punëtorinë treditore të mbajtur në hotelin “Izgrev”, më 6, 7 dhe 8 dhjetor.

Të 86 punonjësit nga kabineti e stafi civil, i kushtuan buxhetit të shtetit më shumë se 3 mijë e 475 euro vetëm për akomodim.

Kjo ministri ishte munduar ta arsyetojë shkuarjen në Strugë, duke thënë se ky organizim është i përvitshëm.

Në hotelin “Izgrev” kishte qëndruar për tri ditë edhe ministrja në detyrë, Adrijana Hoxhiq, e cila me vete kishte edhe vajzën e saj, por ajo kishte thënë se vajza nuk ka paraqitur asnjë obligim shtesë në buxhetin e shtetit.