Kosova

Ministrja Haradinaj-Stublla: Inaugurimi i bustit të Skënderbeut sot na jep mesazhin e bashkimit dhe orientimit evropian

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, mori pjesë sot në inaugurimin e bustit të Heroit tonë nacional, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, në oborrin e Katedrales “Zojës Ndihmëtare” në Prizren.

Ministrja Haradinaj-Stublla tha se kjo ditë për ne është festë, pasi në qytetin e Lidhjes së Prizrenit, nga sot asaj dhe qytetit historik do t’i bëjë roje edhe Shtatorja e Skënderbeut, pikërisht në ditën kur ne festojmë 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit Kuq e Zi; Përvjetorin e daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ditëlindjen e Komandantit tonë legjendar “Adem Jashari”.  

“Kjo ceremoni është edhe më veçantë, sepse ndodh në një vend të veçantë të Kosovës, ndodhë në qytetin që cilësohet si djepi i lindjes së shtetit shqiptar. Prizreni simbolizon pikëtakimin e përpjekjeve të gjata historike e shtet-formuese dhe qytetin e bashkëjetesës fetare dhe etnike, qytetin e vendimeve të jashtëzakonshme historike”, u shpreh ministrja Haradinaj duke shtuar se “Sot, në këtë 28 nëntor, në festën më unifikuese të shqiptarëve, në ditën e madhe të Flamurit të Skënderbeut, kur inaugurojmë shtatoren Gjergj Kastriotit Skënderbe, japim mesazhin e bashkimit, japim mesazhin e orientimit tonë evropian dhe perëndimor, të trashëguar si testament nga epoka e Skënderbeut”. 

Ministrja Haradinaj-Stublla tha gjithashtu para të pranishmëve, mes të cilëve drejtori politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Hungarisë, ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Ipeshkvi Dodë Gjergji, ministri i Mbrojtjes Quni, Kryetari i Prizrenit, Haskuka etj. se Skënderbeu me largpamësinë e tij na la një trashëgimi të çmueshme diplomatike, për aleancat dhe lidhjet e diplomatike ndërmjet shteteve, principatave e zotërimeve të kësaj pjese të Evropës.

“Marrëdhëniet e shqiptarëve me Hungarinë kanë qenë gjithë të dalluara, dhe ndërsa Janosh Huniadi, udhëheqësi i popullit hungarez që luftonte po ashtu kundër pushtuesve osmanë, ishte aleati më i rëndësishëm i Skënderbeut dhe shqiptarëve. Falë Skënderbeut shqiptarët qysh në atë periudhë kishin marrëdhënie të shkëlqyeshme me Venedikun, Papatin, Napolin dhe vende të tjera evropiane. Gjergj Kastrioti ishte prijësi më i madh i Evropës Juglindore, absolutisht më i madhi i epokës së vet, ishte një figurës historike në përmasa evropiane. Ndërsa, rezistenca e udhëhequr nga Skënderbeu do të bëhet një moment përcaktues në historinë e popullit shqiptar”.

Shefja e diplomacisë kosovare, tha gjithashtu se figura e Skënderbeut mbetet para së gjithash një forcë e jashtëzakonshme tërheqëse emancipim dhe evropianizim.

“Figura e tij e mishëron natyrshëm Perëndimin dhe kjo trashëgimi duhet të na shërbejë si busull e përbashkët ardhmërie për ne të gjithë”.

Në fund ministrja Haradinaj-Stublla nga Prizreni uroi shqiptarët, kudo që janë për këto festa, me mesazhin për unifikim të qëndrimeve, bashkim të ideve, e afrim me njëri-tjetrin, pasi konsiderojmë se kjo është rruga e vetme që na mban të fortë e na jep të ardhme të ndritshme. /Kosova.info/