SHËNDETËSIA

Ministria e Shëndetësisë i la gati dy vite pa barna pacientët e Hemodializës

Ampula “Ferric Hydroxide In Complex With Sucrose”, e cila është e domosdoshme për tu përdorur gjatë procesit të Hemodializës, është duke munguar gati që dy vite. Procesi i përzgjedhjes që Operatorit të ri tashmë po dështon që disa herë. Për këtë çështje “Front Online” ka kërkuar sqarime nga zyra e ministrit të Shëndetësisë Uran Ismajli, por gati as për tri javë pritje nuk ka arritur t’i marrë ato

Ka gati dy vite që pacientet të cilët duhet t’i nënshtrohen procesit të Hemodializës, një ampulë të rëndësishme që duhet të përdoret gjatë procesit e cila është “Ferric Hydroxide In Complex With Sucrose”, duhet ta sigurojnë vetë, pasi që Zyra e Prokurimit e Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) që drejton Uran Ismajli nuk po mund ta përzgjedh Operatorin Ekonomik (OE) për furnizim me këtë ampulë.

Gjatë ditëve të fundit ministri Ismajli është para shpesh duke promovuar hapësira të rregulluara brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por pjesa dërmuese e pacienteve që janë të shtrirë aty detyrohen t’i blejnë edhe gjërat më elementare të domosdoshme për trajtim e tyre.

Në bazë të një hulumtimi që ka bërë “Front Online” ka parë se në këtë proces prokurimi kanë aplikuar tri kompani. Kompania “Exclusive Corporation” ka ofertuar me 80,967.60 euro dhe në këtë çmim e ka të llogaritur edhe TVSH-në prej 8%, ashtu siç parashihet me ligj. Po ashtu edhe kompania tjetër “Pharma Leader” në këtë tender ka ofertuar 79,254.00 euro dhe po në këtë çmim e ka llogaritur edhe TVSH-në e derisa kompania tjetër “Liri-Med” ka ofertuar me 78,540.00€ pa llogaritur fare TVSH-në prej 8%, ashtu siç parashihet me ligj.

Pas shqyrtimit të ofertave zyra e prokurimit e kësaj Ministrie për kontratë kishte rekomanduar kompaninë “Pharma Leader”, e cila ishte kompania e përgjegjshme më çmimin më të ulët, por i pakënaqur me këtë kompania konkurrente “Liri-Med” i është drejtuar me ankesë Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik dhe kjo e fundit qe disa herë po urdhëron që lënda të rikthehet në rivlerësim. Por vendimi i fundit i gjykatës së tenderëve edhe më shumë e ka komplikuar situatën, pasi dy institucione kompetente – Ministria e Shëndetësisë dhe Dogana e Kosovës, po thonë se produkti në fjalë në bazë të ligjit i nënshtrohet TVSH-së prej 8%.

“Front Online” për këtë çështje të ndejshme i ka dërguar pyetje zyrës së mediave, sekretarit, por edhe ministrit Uran Ismajli, por pavarësisht gati dy jave pritje “Front Online” nuk ka arritur të marrë përgjigje nga ta.

Por, jo zyrtarisht zyrtarë të kësaj ministrie të gjithë fajin për kaosin e krijuar po ia hedhin Doganës së Kosovës e cila sipas tyre në kundërshtim me ligjin ka lejuar një Operator Ekonomik që një sasi të këtij produkti ta fus në Kosovë pa iu nënshtruar pagesës së TVSH-së. “Produkti në fjalë ka TVSH. Dogana e Kosovës e ka komplikuar situatën. Në këtë proces ka punë Prokuroria” thotë jo zyrtarisht një zyrtar i lartë i kësaj ministrie.

Për këtë çështje “Front Online” ka kërkuara përgjigje të detajuara nga Dogana e Kosovës, por edhe pas dy javë pritje nga ta ka arritur të marrë vetëm një përgjigje të përgjithësuar që nuk lidhës direkt me pyetjet e dërguara.

Arton Demasaj, nga organizata “Çohu”, thotë se zvarritja e procesit për më shumë se një vit flet mjaft. Sipas tij, autoritet për vendosjen e TVSH-së është Dogana e Kosovës e jo Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik. “Vetë zvarritja tregon se ka tendencë të manipulimit të procesit e në këtë rast është i ndjeshëm dhe i dhimbshëm, pasi po e pëson një kategori e njerëzve që kanë shumë nevojë, siç janë pacientët me hemodializë. Në rastin konkret nëse Ministria e Shëndetësisë dhe Dogana e Kosovës thonë se produkti duhet t’i nënshtrohet TVSH-së më së paku nevojë ka OSHP-ja ta bllokojë këtë proces” ka thënë më parë Demhasaj për gazetën “Zëri”.

Sipas tij, në këtë rast Prokuroria duhet t’i nisë menjëherë hetimet dhe ta zbardhë këtë rast, pasi po përfitojnë individët e caktuar e po dëmtohen qytetarët që kanë nevojë për këtë produkt. “Në raste si kjo organet e drejtësisë duhet të reagojnë sa më shpejt. Ato nuk duhet të lejojnë që për interesa të individëve ose të institucioneve të caktuara të lejojnë të dëmtohen qytetarët e Kosovës, sidomos ata që kanë më së shumti nevojë nga barnat e Listës Esenciale, pasi kanë trajtim të rregullt tri herë në javë”, ka thënë Demhasaj.