Kombëtare

Ministria e Financave e “bllokon” një projekt të komunës së Prizrenit

Niveli qendror ka anuluar vendimin e Kuvendit Komunal për marrjen e kredisë prej 5 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të cilat do të destinoheshin për projektin për energji eficiente në 100 objekte publike.

Renovimi i planifikuar përfshinte edhe ndërrimin e dyerve e dritareve, izolimin e kulmeve e mureve e zëvendësimin e llambave me LED e po ashtu sisteme të reja të ngrohjes. Gjitha investimet kapin vlerën prej 7.5 milionë eurosh, prej të cilave 5 nga BERZh.

Por nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, sipas raportit të Ministrisë së Financave, Punës, dhe Transfereve kanë kthyer përgjigje negative me arsyetimin se nuk janë përmbushur kushtet që parashihen në nenin 30 të Ligjit për Borxh Publik, mungesën e përfshirjes së projektit në kornizën afatmesme të shpenzimeve si dhe kriterin që komuna nuk mund të hyjë në borxh afatgjatë për një periudhë prej 6 muajsh, para zgjedhjeve komunale.

Opozita në këtë komunë thanë se është lajm i mirë anulimi i kredisë ngase sipas tyre miliona euro nuk shpenzohen, dhe ato mund të shfrytëzoheshin për këtë projekt. Ndërkaq thanë se edhe po të merreshin paratë kishin dyshime se projekti do të realizohej.

Kreu i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, i tha Klanit se në konsultim me ministrin Murati dhe ekipin e tij, janë pajtuar me propozimin e tyre që projekti të realizohet ashtu siç ka qenë e planifikuar, mirëpo që financimi i kredisë me BERZh të bëhet përmes Ministrisë së Financave.