EKONOMI

Ministria e Financave dhe Transfereve dhe KfW nënshkruan dy marrëveshje granti në vlerë prej 13.5 milionë euro

Qeveria në detyrë e Kosovës, e përfaqësuar nga ministri i Financave dhe Transfereve në detyrë Besnik Bislimi bashkë me përfaqësuesin e Bankës Zhvillimore Gjermane KfW, Rene Eschemann  dhe drejtorin menaxhues të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore Besnik Berisha,  si dhe në prani të ambasadorit të Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë,  Christian Heldt, sot zhvilluan një ceremoni nënshkrimi për dy marrëveshje granti në vlerë totale prej 13.5 milionë euro.

Marrëveshja prej 6.5 milionë euro ka për qëllim mbështetjen e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) duke rritur kapitalin e saj garantues, i cili përmes “Agro Dritares” i ofron agrobizneseve (ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme si dhe fermerëve) qasje në financim për të mbështetur aktivitetet e tyre përmes institucioneve financiare në Kosovë. Përfitues i kësaj marrëveshjeje është FKGK, me të cilin KfW-ja do të nënshkruajë marrëveshje të veçantë për të finalizuar detajet e programit.

Marrëveshja tjetër e nënshkruar do të themelojë “Fondin e Sfidave të Kosovës – Arsimi Profesional dhe Trajnimi” me kontribut prej 7 milionë eurove që ka për qëllim të adresojë dallimet mes aftësive të fituara nga arsimi profesional dhe trajnimi dhe nevojave të tregut të punës në Kosovë, dhe kështu të rrisë numrin e punëtorëve të aftësuar për kompanitë gjegjëse.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Ministri në detyrë Bislimi theksoi edhe një herë se Gjermania është njëri ndër partnerët kryesorë drejt arritjes së aspiratave të Kosovës për zhvillim ekonomik dhe integrim në Bashkimin Evropian. Duke shtuar tutje se bashkëpunimi në përmirësim të arsimit profesional dhe qasjes në financa, është një hap i duhur në drejtim të zhvillimit dhe që ndikon direkt në përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve të Kosovës.

Ambasadori Heldt e përgëzoi gatishmërinë e Qeverisë në detyrë të Kosovës për punën që po bëhet në këtë kohë të Pandemisë Korona, si dhe rëndësinë e nënshkrimit të dy marrëveshjeve për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Më tutje Ambasadori Heldt shtoi se me “këto dy instrumente të suksesshme dhe shumë premtuese të financimit, ekonomia dhe qytetarët e Kosovës do të përfitojnë shumë sa i përket sigurimit të investimeve dhe mbajtjen apo krijimin e vendeve të punës, qoftë edhe në kohëra të vështira me të cilat po ballafaqohemi këto ditë”.