SHËNDETËSIA

Ministri Vitia: Investimet e munguara në dy dekada në shëndetësi, e patën koston e vet

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka raportuar për situatën me COVID-19, ku theksoi se edhe vendet më të zhvilluara vazhdojnë të kenë probleme në përballje me pandeminë, dhe jo vetëm Kosova.

Ministri Vitia deklaroi se Kosova nga fillimi është përballur me shumë probleme në shëndetësi, madje edhe me ato bazike.

“Kjo na dëshmoi se investimet e munguara në dy dekada në shëndetësi, e patën koston e vet. Shpresoj që tani e tutje kjo gjë të ndryshohet”, tha Vitia, transmeton lajmi.net.

Tutje ministri tha se përkundër të gjitha masave, rreziku vazhdon dhe do të vazhdojë marrë parasysh variantet e reja të cilat janë paraqitur gjatë kësaj kohe.

“Nga varianti fillestar Alfa e pastaj Delta, në pamë se vetëm me organizim dhe bashkëpunim, mund të zvogëlojmë numrin e dhembjeve. Deri vonë kemi pasur vetëm disa masa në dispozicion, masa të zakonshme, distancë, maska e higjiena”, shtoi ai.