Kombëtare

Ministri Matoshi prezantoi para qytetarëve projektin e hidro-sistemit “Kikë – Kremenatë” në Kamenicë

Ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, sot mori pjesë  në diskutimin publik për projektin “Hidrosistemi Kikë-Kremenatë”, në Kamenicë, në të cilin të pranishëm ishin edhe  kryetari i komunës, Qëndron Kastrati, ekspertë të MMPH-së dhe Bankës Botërore si dhe qytetarë të shumtë të cilët kishin ardhur për tu njoftuar rreth projektit në fjalë.

Ministri  Fatmir Matoshi, si iniciator i këtij projekti, në fjalën e tij para të pranishmëve  falënderoi Bankën Botërore si  mbështetëse të  këtij projekti dhe akterët tjerë të involvuar në këtë projekt jetik për Kamenicën.

“Jemi duke ecur me hapa të mirë, të sigurtë, në kuadër të realizimit të një prej projekteve më madhore në republikën e Kosovës, e në mënyrë të veçantë shume i rëndësishëm për Kamenicën dhe Ranillugun, marrë parasysh që Kosova është vendi më i varfër ne rajon sa i përket rezervave ujore. Lumenjtë tonë derdhen ne shtete tjera dhe shtetet i përdorin për hidrocentrale dhe të mira ekonomike e në vazhdojmë të kemi  krizë të ujit dhe në këtë drejtim Qeveria e Kosovës është e interesuar me nderru këtë gjendje”, deklaroi ministri Matoshi.

Matoshi me tutje ka falënderuar Bankën Botërore për mbështetjen që po japin  në ndërtimin e disa rezervarëve të ujit në Kamenicë.

Qëllimi i takimit të sotëm sipas ministrit Matoshi ishte që para se të fillojmë të bëjmë vlerësimin e ndikimin në mjedis të njoftojmë komunitetin në lidhje me projektin në fjalë.

“Ne jemi në fazën e rihartimit të projektit kryesor Kikë-Kremenatë, për të cilin ne këtë vit kemi ndarë një buxhet prej 800 mijë euro dhe tani jemi në përfundim të procedurave për vendosjen e ujëmatësve që do të shërbejnë për rihartimin e projektit” theksoi ministri Matoshi.

Matoshi para qytetarëve ka thënë  se këto penda janë multi funksionale për shumë arsye sepse përveç sigurimit të ujit të pijes që është elementar për banorët e kësaj ane, kanë për qëllim edhe zhvillimin e bujqësisë, turizmit dhe nëse ka mundësi edhe për investime tjera.

Për realizimin e këtij projekti në fjalën e tij para të pranishmëve kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka falënderuar ministrin Matoshi dhe ka vlerësuar që ky projekt është shumë i mirëpritur për mirëqenien e qytetarëve të Kamenicës dhe Ranillugut.

Nga ana tjetër ekspertët ,Shiqeri Dërmaku e Bashkim Kastrati nga MMPH, dhe Baton Begolli nga Këshilli Ndërministror i Ujërave kanë prezantuar para qytetarëve detaje teknike sa i përket projektit, e nga të cilat prezantime u pa që ndërtimi i këtij hidrosistemi është imediat dhe do të zgjidhë problemin e madh që kanë banorët e Kamenicës me ujë të pijshëm.

Qytetaret e pranishëm në këtë debat publik, falënderuan ministrin Matoshi për këtë projekt shumë të rëndësishëm për ta dhe shtruan pyetje te ndryshme rreth ecurisë së projektit dhe mënyrës së realizimit.

Të pranishëm në këtë debat publik ishte edhe u.d. kryeshefi ekzekutiv i Agjensionit Kadastral të Kosovës, Avni Ahmeti, Mumin Morina nga Hidromorava, përfaqësues të komunës së Kamenicës dhe shumë qytetarë të kësaj komune. /Kosova.info/

Leave a Reply

Your email address will not be published.