KULTURË

Ministri i Kulturës s’i përcjell ngjarjet kulturore në vend, në ato jashtë shtetit nuk mungon

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, mori pjesë në mbledhjen komemorative për regjisorin e njohur Bekim Lumi, por jo edhe në premierat e tij. Gazetarët që e përcjellin sektorin e kulturës dhe komuniteti i artistëve thonë se prej kur e ka marrë mandatin nga shtatori i vitit të kaluar, ministri Gashi nuk ka marrë pjesë në premiera të teatrit, baletit apo edhe koncertet e filarmonisë.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka qenë mjaft i kujdesshëm të jetë i pranishëm në festivalet prestigjioze ndërkombëtare, duke marrë pjesë në festivalin e Kanës në Francë, në Berlinale në Gjermani, në bienalen e Venecias apo edhe vende tjera kulturore në SHBA.

Ndërsa njihet si pasionant i futbollit dhe udhëton jashtë shpesh për t’i parë ndeshjet.

Por në vend është shumë pak aktiv për t’i përcjellë aktivitetet kulturore, qoftë premiera në teatër, balet apo koncerte të filarmonisë.

Bekim Lumin e ndoqi për së vdekuri, derisa trupi i tij defiloi në skenë, i bartur nga aktorët e shfaqjes “Arturo UI”. Por premierën e tij të fundit nuk e pa.

Shaban Maxharraj, gazetar i Kohës Ditore që përcjell ngjarjet kulturore, thotë se Gashi është parë në teatër vetëm kur objekti është vërshuar nga uji.

Këtë e ka mbështetur edhe dramaturgu Arian Krasniqi. Thotë se asnjëherë nuk e ka parë ministrin në shfaqje por as liderët tjerë institucionalë.

“Për aq sa i kam përcjellë shfaqjet, prej se Gashi është ministër, nuk e kam parë në ndonjë shfaqje. Mendoj se jo vetëm ministri i Kulturës por edhe politikanët e tjerë, para se të flasin për kulturën, duhet të vijnë e të shohin më shumë shfaqje teatrore”.

Ministri Gashi, në një prononcim për KTV-në, e pranon se rrallëherë merr pjesë në ngjarje kulturore, pasi zakonisht, sipas tij, ato po mbahen në mbrëmje.

Por ministri Gashi e pranon se më shpesh shkon t’i ndjekë artistët kosovarë kur prezantohen jashtë vendit.

Njësoj ka vepruar edhe koordinatori për kulturë, Rexhep Hoti. Ai nuk është parë duke marrë pjesë në koncertet e Filarmonisë në Prishtinë, por kur trupa e këtij institucioni ka performuar në Londër, Hoti ka shkuar atje për ta dëgjuar.

Koordinatori Hoti nuk ka dashur të flasë për këtë çështje sepse është në pushim.

Ndryshe, aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, vitin e kaluar, kërcënuan me grevë, ndërsa ministri Gashi iu premtoi rritje të pagave në janar të 2018-ës, gjë që nuk ka ndodhur ende.

©