Rajoni

Ministri i Jashtëm kroat: Vulin po promovon politikën e Millosheviqit i cili kërkoi atë që nuk i takonte

Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grlic Radman, ka deklaruar sot se Zagrebi mbështet rrugën europiane të Serbisë, megjithatë në të njëjtën kohë ai e paralajmëroi se kjo rrugë e saj ”kalon edhe nëpër Kroaci”.

Pas ekspozitës ”Fytyrat e Europës”, organizuar me rastin e Ditës së Europës, ai akuzoi Aleksandar Vulin i cili e quajti ”Kroacinë dhe Kosovën vëllezër të pushkës”, për promovimin e politikës së mundur të Serbisë së Madhe, përcjell klankosova.tv.

“Vulin në të vërtetë promovon politikën e mundur të Sllobodanit Millosheviq, i cili kërkoi atë që nuk i takonte atij”, është shprehur ai.

“Kroacia kurrë nuk ka pasur aspirata në territorin e askujt, përkundrazi, ajo kurrë nuk ka kërkuar një rishikim të kufijve” u tha Grlic Radman gazetarëve, citon Danas serb.

“Serbia është e vetëdijshme për një presion të caktuar ndërkombëtar kur bëhet fjalë për njohjen e Kosovës, sepse ky është realiteti, dhe pastaj ata duan të projektojnë zhgënjime të caktuara në Kroaci”.

Ballkani Perëndimor është një nga dy temat kryesore të takimit të rregullt mujor të ministrave të jashtëm që takohen të hënën në Bruksel.