Kosova

Ministri i Jashtëm i Serbisë thekson domosdonë e ekzistimit të UNMIK-ut në Kosovë

Serbia e konsideron OKB-në organizatën më me rëndësi ndërkombëtare, e rëndësishme sidomos për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit (të shtetit serb), por edhe të trashëgimisë kulturore e fetare në Kosovë. Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq, gjatë bisedës me shefin e Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Beograd, Simon Mirelin Mikulesku, raportojnë mediat serbe, transmeton Koha.net.

Selakoviq ka thënë se “kur bëhet fjalë për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore e fetare në Kosovë e Metohi, roli i UNESCO-s është i jashtëzakonshëm”, shkruan në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Serbisë.

Ministri Selakoviq “ka vënë në dukje rëndësinë e veprimit të UNMIK-ut dhe ka theksuar praninë e tij të mëtejshme në Kosovë, në mënyrë që të krijohen kushte për jetë normale e dinjitoze të serbëve dhe të pjesëtarëve të tjerë të komuniteteve joshqiptarë në krahinën tonë jugore” thekson njoftimi i MPJ-së së Serbisë.

Siç është shprehur ai, “UNMIK-u duhet të mbetet i angazhuar në të gjitha çështjet me rëndësi për zbatimin me konsekuencë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB, në vëllim të pazvogëluar dhe me mandat të pandryshuar”.

Po ashtu ai ka folur edhe për rëndësinë e shqyrtimit në vazhdimësi të çështjes së Kosovës në seancat e Këshillit të Sigurimit të KB, ndërsa ka shtuar se Serbia u kushton rëndësi të madhe raporteve të sekretarit të KB-së mbi punën e UNMIK-ut, që janë të domosdoshme për shkak të prezantimit sa më objektiv të fakteve dhe të vlerësimeve reale të gjendjes në terren.

Sipas Selakoviqit, për Serbinë është e rëndësishme që Këshilli i Sigurimit dhe bashkësia ndërkombëtare të jenë të informuara rregullisht dhe në mënyrë transparente mbi situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë, veçmas nga aspekti i pozitës së serbëve dhe popullsisë tjetër joshqiptare, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave njerëzore, të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe fetare, citohet komunikata e kësaj ministrie, transmeton Koha.net.