Bota

Ministri i Brendshëm çek padit dy gazetarë

Ministri i Brendshëm i Çekisë, Jan Hamaçek, ngriti padi penale kundër dy gazetarëve, për shkak të një artikulli kritik, njoftoi Partia e tij Social-Demokrate.

Hamaçek akuzoi dy gazetarët e portalit Seznamzpravy për shpifje dhe përhapje të raportit të rremë.

Portali i lajmeve ka raportuar se Hamaçek ka qenë i gatshëm të fshehë një zbulim të inteligjencës, në këmbim të sigurimit të një milion dozave të vaksinës ruse kundër koronavirusit Sputnik V.

Sidoqoftë, shkëmbimi i pretenduar duket se nuk ka ndodhur.

Praga, së voni, ka akuzuar agjentët rusë për shpërthimin në një depo municioni në vitin 2014, ku kanë mbetur të vrarë dy vetë.

Kremlini i ka mohuar akuzat.

Në përgjigje, të dyja vendet i kanë dëbuar diplomatët e njëra-tjetrës.

“Ne i kundërshtojmë sulmet personale ndaj gazetarëve tanë dhe stafit redaktues”, tha kryeredaktori i portalit Seznamzpravy, Jiri Kubik.

Ai tha se provat për raportimin ishin “absolutisht të besueshme”.

Social-Demokratët e Hamaçekut po luftojnë për mbijetesën e tyre politike, pesë muaj para zgjedhjeve parlamentare në Republikën Çeke.

Së voni, sondazhet e opinionit e kanë nxjerrë këtë parti nën pragun prej 5 për qind – të nevojshëm për të hyrë përsëri në Parlament.