Kosova

Mini-Shengeni diskriminues

Në një moment kur u janë lëkundur karriget, liderë të tri vendeve të rajonit kanë ndërmarrë një iniciativë për të krijuar atë që e kanë quajtur mini-Shengen, e që duan ta shtrijnë në kufijtë e gjatë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën. Në Prishtinë kjo nismë rajonale është cilësuar të jetë diskriminuese.

Nisma ka dalë mbi tavolinë, ndërsa ishte paralajmëruar se disa nga vendet e BE-së, sidomos Franca, do të refuzojnë hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kryeministrat e të dyja vendeve, Edi Rama dhe Zoran Zaev, e lansuan atë bashkë me Aleksandar Vuçiqin, president i Serbisë, shtetit që i është bërë e qartë nga Brukseli se pa një marrëveshje përfundimtare me Kosovën nuk mund të llogarisë në integrim, shkruan sot Koha Ditore.

Pas përgjigjes që mori nga Brukseli, Zaev ka deklaruar dorëheqjen dhe Maqedonia do të shkojë në zgjedhje të parakohshme në prill. Mospjesëmarrja e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë ka thelluar krizën politike në këtë vend, ndërkaq janë shtuar kërkesat për largimin e Ramës, pas shuplakës që mori nga Brukseli. Në anën tjetër, Vuçiqi prej kohësh përballet me protestat e opozitës dhe në pranverë Serbia do të organizojë zgjedhje parlamentare. Në këtë situatë të tre gjetën një “solucion” dhe e servuan si alternativë për BE-në.

Kosova mori qëndrim refuzues për projektin, për të cilin treshja ka thënë se mbështetet në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve. Edhe në Mal të Zi dhe në Bosnjë-Hercegovinë janë shprehur hezitime.

Pas qëndrimit të shprehur në Prishtinë, Rama ka thënë se Kosova ka zgjedhur të vetizolohet.

Berat Rukiqi është kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës. Propozuesit nuk ia kanë mbushur mendjen atij se iniciativa është qëllimmirë.

“Prej termit e deri te protagonizmi i propozuesve japin shenja që edhe kjo iniciativë më shumë do të marrë konotacion politik sesa ekonomik”, thotë Rukiqi, i cili përmend edhe nisma të tjera rajonale, sikur është CEFTA, nga të cilat Kosova ka përfituar më pak sesa vendet e tjera.

Besnik Vasolli është njohës i integrimeve evropiane. Ai thotë të jetë gabim nëse kjo nismë është menduar si kundërpërgjigje ndaj politikës së re të BE-së në raport me zgjerimin.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.