Bota

Militantët vrasin katër gra aktiviste në Pakistan

Militantë të dyshuar zunë në pritë një automjet që transportonte katër aktiviste gra në veriperëndim të Pakistanit, duke i vrarë ato dhe duke plagosur shoferin.

Sulmi ndodhi të hënën në Mir Ali – qytet në rrethin e Vaziristanit Verior, i tha Radios Evropa e Lirë Shafiullah Gandapur, shefi i policisë rajonale.

Zyrtarët thanë se viktimat ishin nga organizata bamirëse Sabawoon, e cila siguron trajnim për gratë e interesuara për të bërë biznes nga shtëpitë e tyre.

Militantët pakistanezë i kanë shtuar së voni aktivitetet e tyre në rajonin që kufizohet me Afganistanin, duke rritur frikën për rigrupimin e tyre në ish-bastionin e talibanëve.

Militantët shpesh sulmojnë edhe trupat pakistaneze në rajonet në kufi me Afganistanin.

Forcat pakistaneze të sigurisë kanë zhvilluar një operacion masiv anti-taliban në Vaziristanin Verior, në qershor të vitit 2014, dhe pretendojnë se zona është siguruar.

Sidoqoftë, banorët lokalë ankohen se grupe njerëzish të armatosur po kthehen në zonë.