Bota

Miliona persona u kthyen në milionerë gjatë pandemisë

Më shumë se pesë milionë persona janë bërë milionerë në gjithë botën më 2020, pavarësisht dëmeve ekonomike të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Ndonëse shumë persona janë përballur me varfëri, numri i milionerëve është rritur për 5.2 milionë, në 56.1 milionë në nivel global, ka thënë kompania për investime Credit Suisse.

Më 2020, më shumë se 1 për qind e të rriturve në botë kanë qenë milionerë për herë të parë.

Rritja e çmimeve të aksioneve dhe rritja e çmimeve të pronave shtëpiake, ka ndikuar në rritjen e vlerës së pasurisë.

Anthony Shorrocks, ekonomist dhe autor i Raportit për Pasuri Globale, ka thënë se pandemia ka pasur “ndikim afatshkurtër në tregjet globale”, mirëpo ka shtuar se ky trend është përmbysur “në fund të qershorit të vitit 2020”.

“Pasuria globale jo vetëm që ka mbetur stabile në këtë trazirë, mirëpo në fakt është rritur shpejt në gjysmën e dytë të vitit”, ka thënë ai.

Pasuria globale në total është rritur për 7.4 për qind, ka thënë raporti.

Prej fillimit të shekullit 21, numri i personave me pasuri ndërmjet 10,000 dollarë deri në 100,000 dollarë, është më shumë se trefishuar, përkatësisht nga 507 milionë më 2000, në 1.7 miliard në mesin e vitit 2020.