Kosova

Miliona euro shpenzuan, por ujë nuk ka

Vetëm qytetarët e Prishtinës me vendbanimet përreth, i kanë borxh Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, rreth 47 milionë euro.

Borxhi i grumbulluar, sipas kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, Ilir Abdullahu, ka bërë që të mendojnë për ç’kyçje të konsumatorëve nga rrjeti i furnizimit me ujë, ndonëse ende nuk ka një vendim të prerë.

Ndonëse rezervat e ujit, sipas ujësjellësit po zvogëlohen, aktualisht qytetarët e Prishtinës me rrethinë furnizohen me ujë të pijes 24 orë në ditë.

Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, konfirmon se po përballet me vështirësi, pasi niveli i ujit në liqenet akumuluese, atij të Batllavës dhe Badovcit prej nga furnizohen më shumë se 140 mijë qytetarë me ujë të pijes, ka rënë minus dhjetë metra, si pasojë e mungesës së reshjeve atmosferike.

Kryeshefi ekzekutiv i ujësjellësit, Ilir Abdullahu thotë për Radion Evropa e Lirë se kur reshjet mungojnë, niveli i ujit bie pasi që liqenet e Batllavës dhe Badovcit janë rezervuarë apo liqene artificiale, që janë të ndërtuar në pellgje dhe varen nga akumulimi i reshjeve të shiut dhe borës.

“Aktualisht jemi minus 10.5 metra me mungesë uji në liqenin e Batllavës dhe 10.3 metra minus në liqenin e Badovcit. Kjo i bie që 70 për qind të rezervave, kanë ikur, në akumulim total. Kjo ka ardhur në këtë kohë kur po ballafaqohemi me mungesë të reshjeve atmosferike”, tha Abdullahu.