Kosova

Miliona euro humbin nga mosrespektimi i orarit të punës në sektorin publik

Ligji i punës, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2010, po shkelet nga vetë institucionet e vendit, pretendojnë përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Mosrespektimi i këtij ligji, sipas tyre, po ndodh konkretisht te neni i cili përcakton orarin e punës, i cili nënkupton periudhën kohore gjatë së cilës i punësuari kryen punë ose shërbim në të mirë të punëdhënësit.

Doruntina Gashi, zyrtare për informim në Odën e Afarizmit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se me këtë ligj, orari i plotë i punës zgjatë 40 orë në javë, kurse punonjësit e sektorit publik punojnë 7 orë në ditë apo 35 orë në javë, pasi sipas saj, ora e pauzës, nuk duhet llogaritur si orë pune.

Edhe udhëheqës të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura thonë se në institucione publike nuk zbatohet Ligji i Punës.

Sipas Odës së Afarizmit në Kosovë, nga mosrespektimi i orarit të plotë të punës prej 8 orësh në ditë, buxheti i Kosovës nga ky sektor humb rreth 90 milionë euro në vit.

Paga mesatare në sektorin publik, sipas kësaj Ode është rreth 600 euro, që do të thotë rreth 3.75 euro për orë pune. Në Kosovë punohet 237 ditë në vit, përkatësisht 1896 orë gjatë vitit dhe sipas një llogarie të kësaj Ode, humbjet që pëson Kosova nga ora e pauzës janë 237 orë humbje, me rreth 100 mijë të punësuar krijohen rreth 88 milionë euro krijohen humbje financiare.