SPORT

Milan “epik”, turpëron Juven dhe fiton pas 10 vitesh në Torino!

Milani i jep një leksion futbolli Juventusit në Allianz Stadium duke hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit në grupet e Champions League.

Një 0-3 e pastër e kuqezinjëve të Piolit që me siguri kanë vulosur edhe shkarkimin e Pirlos.

Milani ishte superior në çdo drejtim ndaj një Juventusi të fikur që tashmë se ka më në dorën e tij kualifikimin në Champions.

Milani nuk fitonte në kampionat në shtëpinë e Juves që nga 2010-ta kur vendoste një gol i Gattusos por këtë herë skuadra e Piolit i bëri të heshtin tē gjithë juventinët duke marrë një fitore të madhe.

Në fundin e pjesës së parë Brahim Diaz shfrytëzoi një dalje të pastudiuar të Scszesny-t dhe me një goditje plot klas zhbllokoi shifrat, gol që u pa dhe nga sistemi Var pasi dyshohej për një prekje me dorë të spanjollit.

Në pjesën e dytë Milani ishte akoma më mirë, madje në minutën e 58 humbi dhe një penallti me Franck Kessie.

Por atë që se bëri dot mesfushori nga Bregu i Fildishtë e realizoi Rebic me një supergol në minutën 78, vetëm 12 minuta pasi kishte hyrë në fushë, supergol që vulosi suksesin e Milanit.

Për ta bërë më të bukur këtë fitore dhe më turpëruese humbjen për Juven, mendoi Fichayo Tomori që në minutën e 82-të shënoi dhe të 3-in për Milanin.

Me këtë disfatë Juventusi zbriti në vendin e 5-të dhe tashmë do ta ketë shumë të vështirë të kapi zonën Champions.