Bota

Mikrobiologu britanik: Nuk ka asnjë provë që të vërtetojë një valë të dytë të COVID -19

Nuk ka prova që të vërtetojnë një valë të dytë të koronavirusit. Kështu ka deklaruar profesori britanik Hugh Pennington, mikrobiolog në Universitetin e Aberdeen.

Sipas tij ideja për rikthimin e një vale të dytë të Covid-19 bazohet në në modele të vjetruara të gripit. Shkencëtarët i janë referuar vazhdimisht pandemisë së gripit spanjoll të vitit 1918.

“Virusi i gripit ka një kulm, më pas zbret dhe më pas ka valë të dyta dhe madje edhe të treta. Gripi nuk është një model i mirë sepse ky virus sillet ndryshe. Unë jam skeptik i valës së dytë.

Nuk ka pasur valë të dytë të ngjashme me COVID-19 në Kinë, Korenë e Jugut ose Zelandën e Re”, tha ai.

Gripi është biologjikisht i ndryshëm nga koronavirusi  dhe nuk duhet të jetë i krahasueshëm, shtoi profesori Pennington.

Po ashtu mikrobiologu vuri në dyshim efektivitetin e masave të ashpra të bllokimit. Ai tha për mediat se nëse bllokimi do të kishte qenë aq i shkëlqyeshëm, do të kishim më pak raste.

Këtë deklaratë Pennington e bëri pasi qeveria britanike u detyrua të tërhiqte pretendimet se lehtësimi i masave kufizuese në Angli do të “çojë në mënyrë të pashmangshme” në një rritje të rasteve.

Ndërkohë, shumë ekspertë  janë pajtuar në një mendim se infeksioni është i detyruar të rishfaqet në një valë të dytë në mungesë të një vaksine.

Frika më e madhe është se vala e dytë do të ndodhë gjatë dimrit dhe përkon me sezonin e gripit, dhe  mund të shkaktohet sërish kaos në spitale.

Profesori Pennington, megjithatë, tha që provat për të mbështetur këto pretendime janë ‘shumë të dobëta’.