Kosova

Miftaraj: Vendimi i gjyqtarëve që të mos publikohen emrat e të akuzuarve, favor për profilin e lartë

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se praktika e filluar nga disa gjykatës që të obligohen mediat dhe monitoruesit e seancave gjyqësore që gjatë raportimit të përdorin inicialet për personat e akuzuar është favor për profilin e lartë që përballen me akuza.

Në Express Intervistën në KTV, Miftaraj ka thënë se praktika e nisur nuk është e bazuar në ligje e se Kushtetuta e Kosovës përcakton që seancat gjyqësore janë publike dhe mund të mbyllen vetëm në raste specifike.

“Kodi i Procedurës Penale e përcakton që seancat të jenë publike e seanca mund të mbyllet vetëm kur gjyqtari konsideron se me kërkesë të palëve mund ta mbyllë seancën vetëm kur konkludohet se mund të shkelen të drejtat e tyre. Kryesisht gjyqtarët i mbyllin seancat publike apo kërkojnë përdorimin e inicialeve vetëm kur kemi të bëjmë me raste të profilit të larët, të deputetëve, si Milaim Zeka, që akuzohet nga Prokuroria për një varg shkeljesh. Rast tjetër ku kemi të bëjmë me mbyllje është rasti i veteranëve të luftës”, ka thënë ai.

Sipas tij, me këtë praktikë gjyqtarët po cenojnë rëndë integritetin e tyre dhe atë gjyqësor. Ai ka thënë se me praktikën e vënies vetëm të inicialeve për të akuzuarit “gjyqtarët po përdorin standarde të dyfishta për qytetarët sepse po bien në ndikim të figurave të larta politike”.

Sipas Miftarajt, “përmes kësaj censure përfitojnë më së shumti të akuzuarit sepse nëse qytetarët nuk e dinë me emër e mbiemër se cilat figura publike për çka akuzohen edhe informimi i drejtë s’mund të shkojë në vend në bazë të asaj që ka thënë Kushtetuta për lirinë e shprehjes”.

“Po u ofrojnë imunitet personave të akuzuar. E theksojmë se janë të pafajshëm deri kur të vërtetohet me vendim përfundimtar të gjykatës, por për ne OJQ-të e mediat këto aktakuza po ngritën nga një institucion shtetëror si Prokurori i Shtetit dhe ai duhet të sigurohet se ka prova për kryerjen e një vepre penale dhe në një shtet demokratik që aspiron rend e ligj seancat gjyqësore duhet të jenë publike. Po u bën favore, dhe këta persona mund t’i shfrytëzojnë favoret duke i atakuar vendimet në shkallë të dytë sepse po shkelet një parim bazë i Kushtetutës për gjykim të drejtë”, ka thënë Miftaraj.

Ai është ankuar se gjyqtarët po marrin vendime të tilla dhe nuk po i arsyetojnë ato.

I ka cilësuar vendime të palogjikshme “sepse s’mund të kërkosh nga mediat të mos përmendet emri i Sami Lushtakut kur në aktakuzë apo media përmendet se është ish-kryetari i Skenderajt”.

IKD-ja ka iniciuar sot procedura disiplinore ndaj gjyqtarëve që kanë marrë vendime të tilla. Miftaraj ka deklaruar se nëse kjo praktikë vazhdon, do të ketë mundësi të degradimit të sistemit gjyqësor.

“Nëse kjo ndodh, parimi kushtetues për publicitetin e seancave, liria e shprehjes do të censurohen nga vetë gjyqtarët e dispozitën do ta kemi vetëm dekor. Po bëjnë censurim të fjalës së lirë”, ka deklaruar më tej Miftaraj.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.