Kosova

Miftaraj: Sot po fillon shkatërrimi i rendit kushtetues në Kosovë

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se sot në Kosovë po fillon shkatërrimi i rendit kushtetues.

Sipas tij, me thirrjen që presidenti Hashim Thaçi u ka bërë partive politike për të nisur konsultat për formimin e qeverisë së re, pa Lëvizjen Vetëvendosje që fitoi zgjedhjet, “po shkatërrohet gjithçka që është ndërtuar prej shpalljes së pavarësisë e tutje”.

“Sot për mendimin tim po fillon shkatërrimi i rendit kushtetues në Kosovë. Po shkatërrohet gjithçka është ndërtuar prej shpalljes së pavarësisë e tutje. Ndryshimi i Kushtetutës nuk do të ketë alternative në një të ardhme të afërt. Pa konsumimin e të drejtës së partisë fituese për të formuar qeverinë, ose pa refuzimin e partisë së parë për të dërguar propozimin për mandatarin për të formuar qeverinë apo pa një interpretim nga Gjykata Kushtetuese, nuk mundet Presidenti të thërras partitë në konsultim për formimin e qeverisë. As partitë politike nuk duhet të bëhen pjesë e formimit të qeverisë në këtë formë. Kushtetuta dhe rendi kushtetues duhet të jenë mbi interesat e partive politike, apo çdo interesi tjetër personal”, ka shkruar ai në Facebook.

Thaçi i ka dërguar disa letra kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të dërguar emrin e mandatarit, pasi qeveria që ai udhëheq u rrëzua me mocion mosbesimi më 25 mars. Kurti i është përgjigjur letrave duke thënë se kërkon zgjedhje pasi të kalojë pandemia e koronavirusit.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.