Kosova

Miftaraj për aktakuzën ndaj Thaçit e Veselit: Afati prej 6 muajve nuk është obligativ

Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, tha se afati prej 6 muajve nga Dhomat e Specializuar, nuk është afat ligjor, kur ka folur për aktakuzën ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

Janë bërë gjashtë muaj prej kur para Dhomave të Specializuara është paraqitur për konfirmim një aktakuzë, në të cilën si të dyshuar për krime lufte përmenden edhe presidenti Hashim Thaçi dhe kreu i Partisë Demokratike, Kadri Veseli. E premtja përbën afatin e skajshëm brenda të cilit gjyqtari i procedurës paraprake është dashur të vendosë për aktakuzën.

Por Miftaraj në Interaktiv të Kohavisionit, tha se sipas rregullave të procedurës dhe provës që miratohet nga Gjykata Speciale, e cila thotë se edhe përkundër asaj që është 6 muaj, që gjyqtari i procedurës paraprake të marrë një vendim lidhur me konfirmimin e aktakuzës, hedhjen e të njëjtës, gjykata në këtë rast nuk është e obliguar që të njoftojë qoftë presidentin qoftë palët që janë pjesë e aktakuzës, apo edhe opinionin publik.

“Nëse marrim për bazë rastin paraprak që kishim një aktakuzë të konfirmuar në muajin qershor, publikimi i saj u bë më shumë se 2 muaj pas konfirmimit. Si duket gjykata e ka ndërtuar një praktikë të tillë që të sigurohet se të gjithë personat që mund të akuzohen të kenë kohë të mjaftueshme të përgatiten për seancën fillestare, ku mund të deklarohen lidhur me fajësinë apo pafajësinë. Po flasim për një aktakuzë, nëse konfirmohet, ku sipas asaj që është thënë janë 100 viktima, atëherë edhe trupit gjykues u duhet më shumë kohë për t’u përgatitur për seancën. Në anën tjetër, në bazë të Ligjit mbi Dhomat e Specializuara, nuk është e domosdoshme që aktakuza të jetë e konfirmuar në këtë kohë pasi gjyqtari i procedurës paraprake ka edhe mundësi të tjera, mund të ketë kërkuar nga prokurori edhe informata shtesë apo të plotësojë ose ndryshojë aktakuzën. Afati prej 6 muajve nuk është afat ligjor apo obligativ, që nënkupton se ky afat mund të shtyhet”, tha Miftaraj.