Kosova

Miftaraj: Me shfuqizimin e Ligjit për Paga, Kushtetuesja në kundërshtim me vendimin e saj të mëhershëm

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, përmes një postimi në Facebook ka thënë se aktgjykimi i sotëm e Kushtetueses për shfuqizimin e Ligjit për Paga është në kundërshtim me aktgjykimin e saj lidhur me vendimin e Qeverisë Haradinaj për ngritjen e pagave.

“Aktgjykimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese bie në kundërshtim me aktgjykimin e po kësaj gjykate lidhur me vendimin e Qeverisë Haradinaj për ngritjen e pagave”, ka shkruar Miftaraj.

Tutje ai ka shtuar se kjo gjykatë sot po thotë se Ligji për Pagat cenon ndarjen e pushteteve dhe ndërhynë në pavarësinë e institucioneve të sistemit gjyqësor dhe sistemit prokurorial.

“Po flasim për një ligj të miratuar në Kuvendin e Kosovës. Përderisa në aktgjykimin lidhur me vendimin e Qeverisë Haradinaj për ngritjen e pagave për ministra, gjykatës të Gjykatës Kushtetuese, gjykatës të gjykatave të rregullta dhe prokurore, mu kjo gjykatë e kishte arsyetuar se Qeveria ka të drejtë të marrë vendime. Kësaj i thonë së paku mungesë e profesionalizmit, arsyetim i dobët, mungesë koherence dhe tregues i qartë se kur këta përfitojnë vetë, kujdesen që edhe vendimet e kundërligjshme të Qeverisë që iu rrit pagat janë kushtetuese dhe ligjore, e kur Kuvendi iu zbret pagat janë kundërkushtetuese”, ka shkruar Miftaraj.

Sipas tij rrogat i kanë në stratosferë, sikur në vendet e zhvilluara.

“Marrja s’e ka vra askënd, e s’ka me i vra as këta gjykatës në Gjykatën Kushtetuese. Ama rrogat i kanë në stratosferë dhe si me punu në Gjermani, Zvicër apo Luksemburg”, ka shkruar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.