Kosova

Miftaraj: Çdo ndihmë e qeverisë ndaj personave në Hagë, duhet të jetë publike

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se çdo ndihmë financiare që i jepet të akuzuarve të Speciales nga buxheti i Kosovës, duhet të jetë publik dhe nuk përbën dokument sekret.

Miftaraj në Interaktiv të KTV-së ka thënë se publikimi i dokumenteve të tilla dhe qasja në to, do iu ndihmonte personave që do jenë në Hagë në mënyrë që të kenë trajtim të barabartë.

“Një rregullore apo ligj i qeverisë i cili ka për qëllim t’iu ofrojë mbrojtje apo asistencë financiare personave që potencialisht janë të akuzuar nga Gjykata Speciale, nuk hyjnë në domenin e dokumenteve sekrete. Pra, është jashtë çdo logjike juridike që këto të konsiderohen sekrete”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se mënyra sesi është duke u trajtuar kjo çështje aktualisht, mund të konsiderohet si terr informativ dhe mundësitë për keqpërdorime janë të mëdha.

“Me mënyrën sesi është duke u bërë tani, jemi në një terr informativ ku mundësitë për keqpërdorim janë jashtëzakonisht të mëdha dhe ku personat e caktuar, mund të përfitojnë në mënyrë të pabarabartë me të tjerët”, ka deklaruar Miftaraj.

Drejtori i IKD-së ka shtuar se dokumentet sekrete janë ato dokumente që në një mënyrë apo në tjetër, mund të ndikojnë në sigurinë kombëtare apo do të ndikojnë në një procedurë apo proces gjyqësor, që lidhet me çështjen e sigurisë.