EKONOMI

MI-ja më 2019 vendosi të paguante retroaktivisht për dhjetë vjet dy zyrtarë

Në mënyrë retroaktive, për dhjetë vjet, Ministria e Infrastrukturës vitin e kaluar kishte marrë vendim që t’i paguajë dy zyrtarë të këtij institucioni.

Dy inxhinierët, Hysen Merovci e Ardian Begaj, çdo muaj, sipas vendimit të gushtit të 2019-s, do të paguheshin nga 250 euro shtesë.

Vendimi specifikonte që pagesat të kompensoheshin prej muajit korrik të vitit 2008. Shuma totale që për një zyrtar, sipas vendimit, do të kompensohej ishte rreth 35 mijë euro, raporton KOHA.

Megjithatë, në Ministrinë e Infrastrukturës nuk kanë sqaruar se sa mjete prej totalit që parashihet në vendim janë realizuar.

Kjo ministri ka thënë që pagesat janë bërë vetëm për një nga inxhinierët. Për inxhinierin tjetër, për arsye procedurale, pagesat nuk kishin arritur të kryheshin. Më pas vendimi për pagesa ishte pezulluar.

Janë të shumtë zyrtarët e kësaj ministrie që janë paguar me paga të dyta në këtë ministri. Arsyetimi ishte se po bënin punë shtesë.

Megjithatë, janë dy zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, të cilët kanë refuzuar të marrin paga të dyta.

Burime të KOHËS kanë bërë të ditur se zyrtarja e Departamentit të Financave, Violeta Islami, dhe kolegu i saj, Jahir Aliu, nga i njëjti departament, kanë refuzuar këto paga me arsyetimin se punët që po i kryejnë nuk janë punë shtesë, por punë që i kanë obligim t’i përfundojnë brenda orarit.

KOHA ka raportuar për pagesa të parregullta në këtë ministri bazuar në arsyetimin se punëtoret e këtij institucioni po kryenin punë shtesë.

Siç ka mësuar televizioni, mënyra se si janë paguar me paga të dyta këta zyrtarë është duke u hetuar nga Prokuroria e Shtetit.